E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobia e investimeve që solli Berluskoni

Qeveria jonë ia vlente të sulmohej fort, nëse në projektin prej 1.16 miliard dollarësh për prodhimin e energjisë nga era në Karaburun, të mos kishte arritur që pala italiane të zotohej se do t’i jepte pa para Shqipërisë 20 për qind të energjisë që do të prodhojë. Dhe një e pesta e kësaj energjie prej 500 megavatësh në vit është 100 megavatë, ose sa kapaciteti i një termocentrali modern që do të donte 100 milionë euro të ndërtohej. Energjia e marrë falas (do ta marrim për 30 vite rresht) jep një të dhjetën e energjisë që na duhet sot dhe ky është një përfitim i menjëhershëm, sapo të vihen në funksionim të 250 turbinat e erës pas një viti e gjysmë të ndërtimit të parkut eolik. Ndërkohë, përfitimet dytësore janë të konsiderueshme. Së pari, vendi kapërcen me këto 2.5 miliardë euro investime të firmave italiane atë gjol të frikshëm të uljes së ndjeshme të investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Ulja e investimeve sigurisht do të ndihet gjatë vitit 2009, për shkak të krizës globale financiare dhe pasigurisë së investitorëve strategjikë. Mirëpo kjo ulje kompensohet (madje me të tepërt) nga paratë e futura nga kapitali italian në impantin e rigazifikimit të gazit (pasurimit të tij) në Fier dhe nga parku eolik. Si të thuash, investimet e huaja shpëtojnë vendin nga një rënie ekonomike për shkak të mungesës së tyre dhe pamundësisë për të gjeneruar vende të reja pune. Së dyti, kur kapitali italian, që në tërësi në botë nuk dallohet për guxim të çartur (kur vjen puna për të rrezikuar kapitalet e tij) investon bindshëm në Shqipëri, atëherë shumë kompani të tjera të huaja do t’i afrohen vendit tonë. Dy ditë më parë, mediat dhanë njoftimin se një kompani e madhe bullgare kishte kërkuar të investonte në sektorin energjetik shqiptar. Kjo kërkesë sigurisht që do të pasohet me interesime të tjera. Së treti, investimet miliarda euro të firmosura nga Berluskoni në Tiranë largojnë përfundimisht imazhin e Shqipërisë si një vend i pasigurtë dhe i papërshtatshëm për firmat e mëdha. Kapitali italian nuk investon në Maqedoni, për shkak të pasigurisë politike atje. Nuk investon bindshëm as dhe në Mal të Zi dhe Serbi, për shkak të depërtimit dhe konkurrencës së ashpër të kapitalit rus. Kapitali italian ka zgjedhur Shqipërinë dhe ky është një lajm mjaft ogurmirë për ne edhe në drejtim të asistencës së shtetit italian që i jepet falas vendit tonë. Sa më shumë miliarda kapitali italian të derdhë në Shqipëri, aq më shumë shtetit italian i intereson që vendi ynë të jetë i zhvilluar dhe i stabilizuar. Prandaj dhe ndihma dypalëshe e projekteve italiane nën strukturën e “Bashkëpunimit Italian” (Cooperazione Italiana) do të intensifikohet, edhe pse shumë programe të tjera ndihme dypalëshe po riformatohen dhe po shkojnë drejt pakësimit dhe shuarjes së ngadaltë (si për shembull bashkëpunimi zviceran, ai danez, spanjoll etj.), sa më shumë që vendi ynë i afrohet BE-së. Dhe së katërti, prania masive e kapitalit italian u jep rreth 400 mijë shqiptarëve që janë emigrantë në Itali një garanci të së ardhmes së tyre atje, pse emigrantët e kuptojnë fare mirë që një shtet perëndimor nuk do ta lërë kurrë në baltë dhe pa ndihmë një shtet tjetër ku ka investuar miliarda euro nga komuniteti i tij i biznesit. Këto janë arsyet pse projektet gjigande të energjisë në Karaburun dhe Fier nuk duhen parë me pesimizëm. Dhe kush thotë se Karaburuni i virgjër do të shpërfytyrohet nga të 250 turbinat e erës, gabohet rëndë. Në të kundërt, rrugët që do të hapen në zemër të tij pikërisht për të ndërtuar turbinat do ta bëjnë këtë gadishull të pabanuar dhe vështirësisht të arritshëm me makinë deri më sot, më të prekshëm e të vizitueshëm nga shqiptarët. Turbinat e erës nuk japin ndotje dhe ndoshta mund të lindë në këtë gadishull edhe turizmi i turbinave të erës, sikundër është zhvilluar në Holandë turizmi i mullinjve të erës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›