E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimi i Ramës; LSI-ja nuk e mbështet kërkesën e PD-së

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta mbështesë kërkesën e këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës për të shkarkuar kryebashkiakun Edi Rama. Edhe pse një mundësi e mirë për t’i hequr kryesocialistit karrigen e njërit prej pushteteve që disponon, LSI-ja thotë një “Jo” të prerë kundrejt kësaj kërkese, duke u shprehur se është thjesht një lojë politike me afrimin e zgjedhjeve mes palëve. Veç tjerash, kjo parti arsyeton se nisma për mocion shkarkimi nuk është gjë tjetër veç presion i mazhorancës ndaj opozitës për reformën në drejtësi, meqë PS-ja së fundmi është tërhequr nga pozicionimi i hershëm për konsensus të plotë. Kryetari i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranës, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sokol Dervishaj, u shpreh dje se e mbështet arsyetimin e anëtarëve të PD-së në Këshill, por nuk është dakord me mënyrën që kanë zgjedhur për të bërë një mocion shkarkimi. Sipas arsyetimit të tij, ka dy mënyra se si mund të shkarkohet kryetari i bashkisë: Së pari, nga Këshilli i Ministrave me vendim të tij dhe së dyti, nga Këshilli Bashkiak, por kur ky i fundit nuk është paraqitur në punë për tre muaj rresht.

“Pasi kanë mbaruar të gjitha këto dhe u ka mbetur ndonjë, si reforma në sistemin e drejtësisë, për të cilën PS-ja është shprehur se nuk do të japë më konsensusin e saj, gjejnë një mekanizëm të tillë për t’ia tundur kryetarit të PS-së apo dhe vetë PS-së, si mjet presoni për të bërë lëshimet e mëtejshme për shkak të marrëveshjeve të paprincipta që ato kanë bëra me njëra-tjetrën”, - tha Dervishaj.

Më tej, kreu i Këshillit Bashkiak argumentoi se mazhoranca pra, i ka të gjitha mekanizmat në dorë, i ka të gjitha fuqitë e saj ligjore për të shkarkuar Edi Ramën. Ai tha se Këshilli i Ministrave, nëse vëren shkelje të Kushtetutës, të ligjeve apo mosrespektim të detyrimeve që ka kryetari i Bashkisë së Tiranës, mund të marrë një vendim të tillë. Ndërsa kërkoi që nuk duhet të fusin në këtë qerthull Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili ka shumë vendime të rëndësishme për të marrë në interes të qytetarëve dhe komunitetit. “Pra, nuk duhet ta fusin në një qerthull të tillë vicioz, i cili nuk sjell asgjë, përveçse polarizon edhe më tej situatën, në momente kur të dyja palët bëjnë sikur zihen apo pasi kur dy palët kanë mbyllur Kushtetutën, Kodin, parkingjet publike, ndarjen e territoreve, shesheve sportive”, - deklaroi Dervishaj. Zyrtarisht, në tryezën e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit nuk është paraqitur kërkesa e anëtarëve demokratë, por mbetet në diskutim dhe në pikëpyetje qëndrimi negativ ndaj kësaj kërkese i LSI-së, e cila ka një rast të mirë për ta shfrytëzuar që të largojë Ramën si kryetar bashkie. Nëse Rama do të përballet me humbjen e pushtetit si kryetari i bashkisë më të madhe të vendit, natyrisht që pozitat e tij brenda selisë rozë do të dobësoheshin mjaft. Zhvillimet e mëtejshme në PS do të ishin në favor të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›