“Metadoni” çon në pranga dy 37-vjeçarë
TIRANË – Shisnin lëndë narkotike, por aktiviteti i tyre është ndërprerë dy ditë më parë nga uniformat blu. Sipas burimeve, mësohet se dy persona janë arrestuar nga forcat e Policisë së Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Metadoni”, pasi akuzohen për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Të njëjtat burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se në pranga janë vendosur shtetasit Artan Banushi dhe Eugen Mersini, nga 37-vjeç, nga Tirana.
Aksioni
Sipas burimeve zyrtare, personat e mësipërm u kapën në flagrancë në bulevardin “Nënë Tereza”, pranë Hotel Rogner në Tiranë, pas një investigimi me metodat speciale të hetimit, prej afro 1 muaji në ndjekje. Agjentët antidrogë ishin njoftuar për aktivitetin e dy të rinjve dhe prisnin vetëm rastin për t’i vënë ata në pranga në flagrancë. Disa herë agjentët kërkuan të infiltroheshin në grup, por më pas e panë të arsyeshme marrjen e informacionit nga një prej anëtarëve të tij, i cili e njoftoi në kohë policinë për shitjen e fundit. Dy prej anëtarëve të grupit kishin parashikuar të shisnin tableta metadoni në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, ku i prisnin edhe klientët, por në vend të tyre janë paraqitur uniformat blu, që u kanë shtrënguar në duar prangat. Dy të arrestuarit më pas janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë.
Hetimi
Të ndaluarve iu gjeten dhe bllokuan me cilësinë e provës materiale 64 copë tableta të llojit të lëndës narkotike “Metadon”, një pistoletë e llojit revolver (me mulli), dy kuti kartoni me 80 copë fishekë, një dorezë metalike, shuma prej 2 000 lekësh të përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dy celularë, një aparat telefonik celular tip “Nokia” dhe një tjetër tip “Samsung”, një pasaportë Shqiptare etj. Hetuesit kanë marrë në pyetje të arrestuarit, të cilët kanë deklaruar se lëndën narkotike e kishin për përdorim vetjak dhe jo për tregtim. Megjithatë, deklarimet e të arrestuarve nuk i kanë bindur hetuesit, të cilët, në bazë edhe të raportit policor për ndalimin në flagrancë apo dhe informacionet dhe vëzhgimet që kanë zgjatur më shumë se një muaj. Po ashtu, nga të dhënat grupit hetimor, mësohet se personat e ndaluar do të duhet të përballen me Drejtësinë, por njëkohësisht, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punohet intensivisht për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht Metadon. Materialet i kaluan prokurorisë për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “armëmbajtjes pa leje” si dhe “posedim të municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 283 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Sherri në pub, plagosen me mjete të forta tre persona
Tiranë – Bëjnë sherr në pub dhe godasin me mjete të forta tre persona. Burimet policore thanë për gazetën se dje janë arrestuar në flagrancë dy persona, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, te pub “Bonito”, për motive të dobëta kanë goditur me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit Edmond dhe Gëzim Tartarin, banues në Tiranë, si dhe Alfred Naçon. Sipas policisë, autorë të kësaj ngjarjeje janë Idris Neziri, 21 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë dhe Klajdi Prenga, 19 vjeç, lindur dhe banues në Linzë Tiranë. Të plagosurit, pas mjekimit, janë dërguar për në banesë, ndërsa Naço, aktualisht ndodhet i shtruar në Spital Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. U kryen veprimet procedurale. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje në bashkëpunim”.
19 Shkurt 2008