Dobjani: “Kërkesat për ulje dënimi të shqyrtohen brenda në burgje”
Laureta Rryçi
Tiranë - Proceset mbi kërkesat e të dënuarve për ulje dënimi të zhvillohen në burgje. Ky është rekomandimi më i fundit që Avokati i Popullit i ka drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibrës. Sipas Dobjanit gjatë inspektimeve të kryera kohët e fundit në disa burgje të vendit është vënë në dijeni nëpërmjet ankesave të të dënuarve se proceset gjyqësore që zhvillohen me kërkesë të tyre për ulje dënimi kanë shfaqur shpesh herë parregullsi të rënda ligjore dhe procedurale. Nisur nga ky shqetësim, Avokati i Popullit kreu një studim të volumit të çështjeve që trajtohen nga gjykatat, cilësinë e tyre dhe përballimin e këtij procesi nga ana e IEVP-ve përkatëse. Si shembull në këtë rast u mor Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e cila ka nën juridiksionin e saj Burgun e Peqinit dhe Burgun e Kosovës së Lushnjës.
Studimi
Nga përpunimi i të dhënave të paraqitura nga dy burgjet rezultoi se gjatë vitit 2007 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan janë paraqitur 881 kërkesa për ulje dënimi, që u përkasin të dënuarve të Burgut të Peqinit dhe Burgut të Kosovës së Lushnjës. Gjatë vitit 2008 janë paraqitur 645 kërkesa për ulje dënimi. Lidhur me kërkesat e tjera të të dënuarve me objekt “Lirim para kohe me kusht”, “Lirim para kohe për arsye shëndetësore”, “Ndryshim sigurie”, “Llogaritje e ditëve të paraburgimit”, “Përfitim nga amnistia”, “Ankim ndaj komandës së Burgut” etj., ato janë në volumin e rreth 270 kërkesave për vitin 2007 dhe rreth 220 kërkesave për vitin 2008. Në total numri i përgjithshëm i kërkesave të paraqitura nga të dënuarit e këtyre dy burgjeve për vitet 2007 dhe 2008 arrin në shifrën e rreth 2000 kërkesave. Sipas drejtuesit të gjykatës rezulton që gjyqtarët kanë një volum të papërballueshëm pune, çka ka shkaktuar zvarritje të gjykimit për kërkesat e mësipërme. Për rrjedhojë, shpesh të dënuarit humbin të drejtën të përfitojnë uljen vjetore, pasi shumë çështje përfundojnë vitin pasardhës. Një problem tjetër është se gjyqet për këto kërkesa zhvillohen në shumicën e rasteve pa praninë e të dënuarve, të cilët nuk kanë mundësi objektive të paraqiten. Për këtë bëhen pengesë shpenzimet e papërballueshme të transportit nga ana e Burgjeve, numri i kufizuar i efektivave të sigurisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që janë të autorizuar për të kryer transportin e të dënuarve.
Rekomandimi
Për t`u dhënë zgjidhje këtyre problemeve, mendojmë se Ministria e Drejtësisë duhet të marra masa të menjëhershme për të bërë të mundur përmirësimin e kësaj situate. Avokati i Popullit sugjeron që të rifillojë praktika e shqyrtimit të kërkesave të të dënuarve pranë burgjeve, duke zhvilluar gjyqet brenda ambienteve të krijuara për këtë qëllim. Kjo praktikë është aplikuar më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan duke plotësuar në kohë të gjitha kërkesat e të dënuarve dhe duke evituar shpenzimet e mëdha shtetërore dhe problemet gjatë gjykimit.
28 Nentor 2008