Krimet e Rënda pezullojnë afatet për bandën e Durrësit
Tiranë - Krimet e Rënda pezullojnë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit e bandës së Durrësit. Seanca e djeshme nuk vijoi ashtu siç pritej për shkak të mungesës së avokatëve. Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi dje që avokatët mbrojtës të marrin pjesë në procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurve të ish-bandës së Durrësit. Mungesa në këtë gjykatë e përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të të akuzuarve si anëtarë të kësaj ish-bande solli dështimin e radhës për seancën gjyqësore. Në këtë proces janë të pandehur 16 persona, të akuzuar për disa episode të rënda kriminale, ndër to, disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. Sipas të dhënave të prokurorisë, në fillimet e saj, në vitin '97, banda e Durrësit drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës, anëtarët e saj u përfshinë në konflikte me njëri- tjetrin, duke krijuar grupe rivale. Të pandehurit e bandës së Durrësit janë arrestuar në këto tre vitet e fundit nga forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila për disa vite hetoi çështjen penale ndaj tyre.
Gjykata e Apelit lë në burg të akuzuarit për tragjedinë e 9 nëntorit
Gjirokastër – Gjykata e Apelit në Gjirokastër la dje në burg shtatë të dyshuarit si shkaktarë të tragjedisë së 9 nëntorit, kur për shkak të shembjes së një pallati pesëkatësh në këtë qytet humbën jetën tre njerëz dhe u plagosën disa të tjerë. Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës, sipas të cilit shtatë të dyshuarit mbeten me masën e arrestit “në burg” derisa të përfundojë procesi gjyqësor. Vendimi u mor për Afërdita Papamihalin, me detyrë sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës, e cila akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, Thanas Llahanën, inxhinier gjeolog, që akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, Alfred Mamanin, shef i Urbanistikës në Bashkinë e qytetit, që akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, Luan Bufin, inxhinier ndërtimi i “ARTI” sh.p.k, që akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, Sotiraq Janorën, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “ARTI” sh.p.k, i cili akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, Gjergji Meçen, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit ARTI sh.p.k, që akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, si dhe Aristotel Haxhin, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “ARTI”. Siç është bërë e ditur, nesër pritet që Gjykata e Apelit të shqyrtojë edhe kërkesën për apelim që ka dorëzuar avokati mbrojtës për të dyshuarin e tetë, Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh, i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë ndaluar dhjetë njerëz, dy nga të cilët u lanë të gjykohen në gjendje të lirë.
28 Nentor 2008