E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Mos i neglizhoni qiramarrësit në prona private

Qiramarrësit në shtëpi të ish-pronarëve janë ankuar në zyrën e Avokatit të Popullit në lidhje me pamundësinë e zgjidhjes së strehimit të tyre ndër vite. Janë rreth 3000 familje në të gjithë Shqipërinë, që kanë probleme pas vitit 1990. Ky problem, sipas Dobjanit, duhet të zgjidhet dhe i rekomandojnë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit marrjen e masave për të bërë plotësimet e nevojshme në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". "Institucioni i Avokatit të Popullit ka luajtur dhe luan aktualisht një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të individëve, duke përfshirë këtu dhe kategorinë e ish-pronarëve, lidhur me të drejtën e pronësisë, si një e drejtë universale e njohur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në aktet ndërkombëtare. Por krahas kësaj kategorie, në fokus të vëmendjes sonë si rezultat i ankesave të mbërritura prej vitesh pranë institucionit tonë, kanë qenë dhe janë dhe qiramarrësit që kanë banuar dhe banojnë në pronat e ish- pronarëve, në lidhje me pamundësinë e zgjidhjes së strehimit të tyre ndër vite", i shkruan Dobjani ministrit Olldashi.

Më pas, ai thotë se ligji "Për kthimin dhe kompensimin e pronave", me ndryshimet e bëra me Ligjin Nr.9388, datë 4.05.2005 dhe Ligjin Nr.9583, datë 17.07.2006, në nenin 9 të tij ka përcaktuar: "Personat e pastrehë, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilët brenda datës 31 dhjetor 2008 nuk lidhin kontratën sipas shkronjës ‘c‘ të pikës 1 të këtij neni, apo që deri në këtë datë nuk kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim, sipas çdonjërit nga rastet e përcaktuara në shkronjat ‘a‘, ‘c‘, e ‘ç‘ të pikës 1 të këtij neni, humbasin të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës dhe trajtohen në bazë të programeve sociale të strehimit. Subjekti i shpronësuar përfiton të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës në pronësi të tij". Duke e çmuar të padrejtë vendosjen e një afati të tillë, shoqata e qiramarrësve të shtëpive shtetërore, ish-pronë private, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 9 të ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese konkludoi se neni 9 i këtij ligji është antikushtetues, sepse cenon parimin e sigurisë juridike, si dhe shkakton diskriminim të një grupi, duke qenë kështu në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit.

"Meqenëse nga shfuqizimi i dispozitës së mësipërme krijohet boshllëk ligjor, lidhur me trajtimin e qiramarrësve të shtëpive ish-pronë private, Gjykata Kushtetuese i rekomandoi Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë të marrë masa për të bërë plotësimet e nevojshme në ligj. Meqenëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i formës së prerë dhe ka hyrë në fuqi prej kohësh, është e nevojshme të na dërgoni një informacion për procedurat apo masat që mund të jenë marrë, për të bërë të mundur plotësimet e nevojshme ligjore, lidhur me nenin 9 të ligjit ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës‘, i cili është shfuqizuar si antikushtetues" deklaron Dobjani.

Sipas Dobjanit, në këto kushte, mendojmë se del si detyrë e veçantë dhe parësore që Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të iniciojë për hartimin dhe propozimin sa më parë në Këshillin e Ministrave të projektit për plotësimin e këtij neni. "Kjo iniciativë duhet të përmbushet nga organet përkatëse përgjegjëse, për të konkretizuar detyrimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që do të bëjë të mundur rregullimin e kësaj marrëdhënieje juridike", shton Avokati i Popullit. Ai kërkon nëse Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit apo ndonjë ministri tjetër, ka përgatitur ndonjë draft-projekt për të realizuar plotësimin e këtij boshllëku ligjor, aq më tepër që aktualisht situata e qiramarrësve që banojnë në këto banesa, të cilët nuk e kanë zgjidhur strehimin, është e pasigurt dhe e paqartë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›