E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat rrezikojnë dosjen "Gërdeci"

Ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, të marrë të pandehur pas tragjedisë së Gërdecit, kanë refuzuar organin qendror të akuzës për të firmosur kërkesën për gjykim. Ata nuk kanë denjuar të paraqiten para prokurorëve të çështjes për t‘u njohur formalisht me përfundimin e hetimeve. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat saktësojnë se tashmë e vetmja rrugë zyrtare për njoftimin e të pandehurve është nëpërmjet postës. "Disa ditë më parë kemi thirrur për t‘u paraqitur në prokurori ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes të marrë të pandehur për ngjarjen e datës 15 mars 2008 në fshatin Gërdec në Tiranë, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën", thanë burimet, duke shtuar se asnjë prej të pandehurve nuk është paraqitur, duke "bllokuar" ecurinë e hetimeve. Duket se "loja" e të pandehurve është të shtyjnë në maksimum njohjen e tyre me përfundimin e hetimeve. Nëse prokuroria nuk arrin të dërgojë dosjen para datës 15 mars në Gjykatën e Lartë, i gjithë procesi hetimor mund të dështojë. Gjithsesi, hetuesit e çështjes deklarojnë se dërgimi i dosjes do të ketë vështirësi për vetë faktin se janë rreth 40 të pandehur.

Hetimet

Hetimet për shpërthimin tragjik me pasoja të rënda të Gërdecit janë në fazën e fundit. Në cilësinë e të pandehurve janë rreth 40 persona, të akuzuar se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë shpërthimin e 700 tonëve barut në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec të Vorës. Listës së të pandehurve, i prin ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti pa imunitet, Fatmir Mediu, dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Luan Hoxha. Burime nga prokuroria deklaruan se kanë njoftuar nëpërmjet telefonit, por edhe me fletëthirrje të gjithë të pandehurit e dosjes të firmosin aktet. Por deri dje vetëm një pjesë e vogël e të pandehurve janë paraqitur në prokurori për të firmosur. Ushtarakët, megjithëse ligjërisht kanë kryer procedurat përkatëse kanë akuzuar prokurorinë se ka montuar akuza ndaj tyre dhe se me veprimet e tyre po i njolloste emrin dhe karrierën. Të njëjtën përgjigje hetuesit e çështjes kanë marrë edhe nga tre personat që ndodhen në qeli, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari, por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët nuk kanë pranuar të paraqiten në prokurori. Nëse i pandehuri nuk paraqitet për njohjen me aktet dhe firmosjen e mbylljes së hetimit, grupi hetimor në bazë të Kodit të Procedurës Penale ia komunikon përfundimin e hetimit me anë të agjencisë postare vetë të pandehurit dhe avokatit të tij mbrojtës. Sipas provave materiale që kanë dërguar grupin hetimor në përpilimin e kërkesës për gjykim, thuhet se ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes janë ngritur akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike". Krahas këtyre dy veprave penale, sipas prokurorisë, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë konsumuar duke kryer veprime dhe mosveprime të ndryshme me dashje, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrave.

Dosja

I gjithë procesi i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë "SAC-ALBADEMIL", të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard të sigurisë në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces. Hetimet e kryera dërgojnë në konkluzionin se shkeljet e lartpërmendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në procesin e magazinimit të municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive, duke shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social-ekonomike dhe dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›