E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, aksion për makinat e vjedhura

Antitrafiku në aksion, bllokohen automjete të vjedhura në vende të Bashkimit Evropian. Tre zotëruesit e automjeteve janë vënë nën procedim penal në gjendje të lirë, ndërsa automjetet e markave të ndryshme të njohura dhe prodhim i viteve të fundit janë bllokuar nga policia. Të gjitha mjetet janë me targa shqiptare dhe rezultojnë të vjedhura gjatë dy viteve të fundit në Itali dhe Francë. Seksioni kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit gjeti dhe bllokoi një ditë më parë automjetin tip Audi Q-7 me targë DR 7492 E, ngjyrë të zezë, automjetin BMV seria 5 me targë KR 7040 A, ngjyrë blu, dhe automjetin "Mercedes Benz" me të njëjtën ngjyrë dhe targë DR 8806 D. Sipas policisë, "Audi" ishte në pronësi të Ilir Jasharit, 45 vjeç nga Durrësi dhe rezulton të jetë vjedhur në Itali në maj të vitit që shkoi. BMV-ja rezulton të jetë vjedhur në Francë në fund të nëntorit 2008 dhe ishte në pronësi të 33-vjeçarit nga Kruja, Eduart Bami. Ndërkohë, Benzi rezulton i vjedhur në qershorin e 2007-ës në Itali dhe ishte në pronësi të Përparim Bermuçës, 34 vjeç nga Xhafzotaj. Këtij iu gjet në automjet dhe targa italiane, së bashku me dokumentacionin shoqërues të mjetit. Të tre pronarët e automjeteve po ndiqen penalisht në gjendje të lirë për trafikim të mjeteve motorike, ndërkohë që ata kanë deklaruar se i kanë blerë mjetet që zotërojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›