Ersekë, vidhen varrezat e qytetit
Varrezat janë rikthyer në vendet e preferuara nga hajdutët, që synojnë objekte mermeri dhe bronzi për qëllime fitimi. Jo vetëm në zonën e Korçës, por dhe në atë të Kolonjës duket se varrezat dhe objektet e tyre dekorative në kushtet e mungesës së rojeve gjatë natës, kthehen në objekte sulmi. Fenomeni i cili një vit më parë çoi në dëmtimin e dhjetëra varreve në qytetin e Korçës dhe në fshatrat përreth, duket se është importuar nga kjo zonës edhe në Kolonjë. Kanë qenë banorët e Ersekës të parët që kanë vënë alarmin për dëmtime të pjesëve të mermerit dhe për mungesën e objekteve të vendosura për zbukurim te varret e të afërmve të tyre. Vjedhjet janë konstatuar një ditë më parë në të paktën 30 raste ku sipas policisë, kësaj të fundit i janë adresuar një sërë ankesash nga ana e qytetarëve. Sipas të dhënave të policisë lokale mësohet se janë vjedhur të paktën 30 objekte dekorative në varrezat e qytetit, kryesisht vazo prej bronzi dhe mermeri ku vendosen lulet dhe vazo për ndezjen e qirinjve. Nga verifikimet që janë bërë, të gjitha objektet e munguara janë shkulur nga varrezat, ndërkohë që nuk dihet ende se ku kanë përfunduar. Burimet e policisë dyshojnë se vjedhjet nuk janë kryer nga banorë të zonës, pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në zonën e Kolonjës dhe është një fenomen që vjen për herë të parë edhe në qytetin e Ersekës. Sipas të dhënave dyshohet se bëhet fjalë për minorenë që mund të kenë ardhur nga qyteti i Korçës për të sulmuar objektet e varreve, të cilat më pas përfundojnë për shitje me çmim të ulët ose për shkrirje për skrap për qëllime fitimi. Policia e Kolonjës ka nisur hetimet për këto raste pas denoncimeve që kanë ardhur nga vetë banorët. Ende nuk ka asnjë person të shoqëruar për vjedhjet në varrezat e qytetit. Nisur nga fakti se këto raste kanë qenë më të shumta në zonën e Korçës, është kërkuar edhe një bashkëpunim me komisariatin e këtij rrethi për të verifikuar personat e mitur që më parë kanë kryer vjedhje të kësaj natyre dhe janë me precedent, por lihen të lirë për shkak të moshës. Varrezat e qytetit mësohet se nuk ruhen gjatë natës, gjë që ka favorizuar edhe kryerjen e këtyre vjedhjeve.