E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dobjani: Mos përdorni fëmijët në fushatë

21/05/2005  Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, është shprehur kundër përdorimit të fëmijëve në fushatën elektorale nga kandidatët dhe forcat politike. Sipas Dobjanit, kjo është një shkelje e të drejtave të fëmijëve, dhe ata nuk duhet të angazhohen në fushatë përpara se të kenë mbushur moshën 18 vjeç. “Nisur nga imazhet e fushatave të mëparshme elektorale, por edhe këto të javës në vazhdim, ka mjaft raste kur vërehet një pjesëmarrje aktive e fëmijëve në fushatën elektorale të cilësdo parti politike. Në këto raste vërejmë forma të ndryshme të përfshirjes së fëmijëve si element “dekorativ”, për qëllime simbolike apo edhe për të treguar se ambientet janë plot me përkrahës. Nuk duhet harruar që fëmijët nuk kanë pjekurinë intelektuale, fizike apo mendore njësoj si të rriturit dhe shpesh as vetë ata nuk e kuptojnë qëllimin e këtyre organizimeve apo mitingjeve. Prandaj mosha për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është caktuar 18 vjeç e lart. Është pikërisht kjo arsyeja që ata kanë nevojën për një mbrojtje të veçantë. Ata duhen mbrojtur jo vetëm nga neglizhenca apo abuzimi, por edhe nga përgjegjësitë që kalojnë tej aftësive të tyre. Në jo pak raste në tubime gjen shprehje, ku gjuha e konfliktualitetit dhe akuzave respektive janë tepër të rënda”, tha Dobjani. Sipas tij, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve duhet të përbëjë një prioritet për të gjitha forcat politike shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›