E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendi ka nevojë për një shtet social

21/05/2005  Besnik Mustafaj

Partia Demokratike ka prezantuar dje kandidatin për deputet në zonën 32, në Tiranë, Besnik Mustafaj. Kryetari i PD-së, Berisha, gjatë prezantimit tha se qeveria e opozitës, në rast se fiton zgjedhjet, do i japë mbështetje maksimale kandidatit Mustafaj në projektet e tij për zonën. “Uën prezantoj para jush njeriun e shquar të letrave shqipe, një njeri që ju do ju më shumë sesa nipat e tij, një njeri që ju do ju sa do familjarët e tij, një njeri që mendon për ju nga mëngjesi deri në darkë. Ju jap fjalën ju që do ta mbështes Mustafajn në të gjitha projektet për punësimin e fëmijëve tuaj, për arsimin e fëmijëve tuaj, për infrastrukturën e kësaj lagje, për integrimin e Tiranës dhe të Shqipërisë në Evropë”, tha Berisha. Në fjalën e tij, kandidati Mustafaj tha se zona ku ai kandidon ka nevojë për një shtet social, që të punësojë njerëzit dhe të mos persekutojë biznesin e vogël. “Kjo zonë ka nevojë për një shtet social, për të cilin është zotuar Partia Demokratike, kjo zonë ka një papunësi shumë të lartë, ka mungesë shkollash, ka mungesë infrastrukture dhe qendrash shëndetësore. Në të njëjtën kohë binzesi i vogël është i persekutuar dhe i shkatërruar në mënyrë të qëllimtë. Ne në këtë zonë kemi kryetarin e minibashkisë, që fitoi në vitin 2003 që është i PR-së, pra në mënyrë simbolike atë politikë koalicionesh që ka ndërtuar PD-ja në kryesinë e saj ne kemi ditur ta kthejmë në fitore dhe kështu do të vazhdojmë. Ju jap fjalën se të gjitha votat do të shkojnë në favor të opozitës. Edhe unë do të fitoj, edhe PD do të fitoj, edhe PR do të fitojë edhe e gjithë opozita do të fitojë dhe do të kemi në parlament 2-3 deputetë, për zonë”, tha Mustafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›