E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në hetim dy ish-financierët e “Petrol Impex” për vjedhjen e 440 milionëve

21/05/2005  Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimin ndaj dy ish-financierëve të shoqërisë së distributorëve të naftës, “Petrol Impex”, që janë denoncuar disa ditë më parë nga KLSH-ja për vjedhje të 440 milionë lekëve të vjetra. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se ka filluar procedimi penal për këtë denoncim të KLSH-së. Burimet pohuan se KLSH-ja ka denoncuar dy ish-financierët e “Petrol Impex-it”, që kanë shërbyer aty gjatë periudhës kohore 2000-2001, kur edhe është konstatuar vjedhja me anë të falsifikimit të dokumenteve. Sipas Prokurorisë, në këtë periudhë shoqëria “Petrol Impex” ka qenë shtetërore, ndërsa është kërkuar që të jepen informacione nëse tani ajo është pivatizuar apo jo. Gjithashtu është kërkuar të vihet në dispozicion të hetuesve gjithë dokumentacioni i shoqërisë, që është administruar në vitet 2000-2001, për të konstatuar në vërtetësinë e kallëzimit. Disa ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), denoncoi pranë Prokurorisë së Tiranës vjedhjen me anë të falsifikimit të dokumenteve të afro 440 milionë lekëve të vjetra në shoqërinë e distributorëve të karburanteve “Petrol Impex”. KLSH-ja ka akuzuar dy ish-punonjës së financës të kësaj shoqërie për vjedhjen e parave me anë të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Sipas burimeve, në denoncimin e KLSH-së thuhej se gjatë një inspektimi të dokumentacionit të kësaj shoqërie të distributorëve të karburanteve, ishin vërejtur falsifikime të faturave. Burimet thonë se me anë të falsifikimit të këtyre faturave, ishin shitur në rrugë të jashtëligjshme një sasi e konsiderueshme karburanti, që arrinte vlerën e afro 440 milionë lekëve të vjetra në total.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›