Ruli dhe Aliaj prezantojnë strategjinë e arsimit
21/05/2005 Dy kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në jug të vendit, Genc Ruli dhe Besnik Aliaj, prezantuan dje gjatë një takimi me studentë të Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, platformën e PD-së për arsimin e lartë. Të dy kandidatët, njëri prej tyre anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave, thanë se strategjia në fjalë ka si synim rritjen e kualitetit të universiteteve tona në nivel me ato evropiane. Strategjia e PD për arsimin e lartë ka si prioritet dhënien e autonomisë universitare, rritjen e kapacitetit të studentëve si dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Një tjetër pikë e platformës së opozitës për arsimin është ngritja e rrogave të pedagogëve në një masë të konsiderueshme. Kandidati i zonës 90, në Gjirokastër, Genc Ruli, ka akuzuar drejtuesit e arsimit në Gjirokastër se kanë shkelur të gjitha rregullat dhe kanë kthyer shkollat në zyra të FRESH. Ruli në këtë përballje elektorale do të ketë nënkryetaren e parlamentit, Makbule Çeço. Ndërsa rivali i Kryeministrit Nano, në zonën 99, në Sarandë, Besnik Aliaj, u bëri thirrje militantëve të PS-së të mos luajnë me votën, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk do të tolerojë një tjetër manipulim në këto zgjedhje, të cilësuara kyç për integrimin.