Dobjani-Nishanit: Merrni masa që “Sagem” të garantojë shpërndarjen normale të dokumenteve
Avokati i Popullit i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani që të marrë masa për të garantuar shpërndarjen normale të dokumenteve të identitetit në Tiranë dhe disa qytete të vendit. “ Kërkojmë marrjen e masave të nevojshme për rritjen e numrit të punonjësve dhe posteve të punës ( nga 2 në 5) për realizimin e aplikimeve për pasaporta biometrike dhe letërnjoftime të aplikantëve në Njësitë Bashkiake nr 5 dhe nr. 10. Mundësisht në Njësinë Bashkiake nr. 5 të merret ambient me qera jashtë zyrave të kësaj njësie, sepse ambienti aktual është shumë i vogël dhe krijon konfuzion. Marrjen e masave për rritjen e numrit të punonjësve dhe posteve të punës për realizimin e aplikimeve për pasaporta biometrike dhe letërnjoftime në të gjitha bashkitë dhe minibashkitë, sidomos deri më 15 shtator 2009. Udhëzimin e personelit që realizon procesin për afishimin në hyrje të ambienteve ku kryhen aplikime për letërnjoftime dhe pasaporta të orareve faktike të punës dhe dokumenteve që duhet të paraqesin qytetarët për të aplikuar. Për masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, lutemi të na ktheni përgjigje brenda një afati prej 10 ditësh”, - i shkruan Dobjani ministrit të Brendshëm. Sipas vëzhgimeve të bëra nga Avokati i Popullit, në Njësinë Bashkiake nr.1 në Tiranë, zyra e aplikimit për pajisjen me letërnjoftim dhe pasaportë biometrike, ishte marrë me qira. Në derën hyrëse apo dhe në ambientin e brendshëm, nuk kishte afishime lidhur me orarin gjate të cilit qytetarët mund të aplikonin, si dhe me dokumentacionin e domosdoshëm që duhej të paraqisnin aplikuesit. Operatorët pretendonin se ishin grisur nga fëmijët dhe se puna e tyre fillonte në orën 8.30-16.30, nga dita e hënë në të premten.”Në Njësinë Bashkiake nr.2, në Tiranë, kishte një orar të afishuar, por nuk kishin të afishuar dokumentacionin që duhej të paraqisnin aplikantët për realizimin e aplikimit. Në Njësitë Bashkiake nr. 3 dhe 4, punohej në një ambient të përbashkët të marrë me qira, ku ne derën hyrëse ishin të afishuara si orari i punës, ashtu dhe dokumentet e nevojshme që aplikuesit duhej të paraqisnin për realizimin e aplikimit të tyre. Në Njësinë Bashkiake nr.5 kishte një fluks të konsiderueshëm aplikuesish, ndërkohë që kishte vetëm dy punonjëse që merreshin me aplikimet dhe 3 të tjerë ishin në zyrën e tërheqjes së letërnjoftimeve. U sqaruam se më parë atje kishin qënë të vendosura 5 poste për aplikim, por meqë fluksi i aplikuesve “kishte rënë disi”, atje punonin vetem 2 punonjës. Nuk rezultonte te ishte afishuar as orari i punës së kësaj zyre dhe as dokumentet qe aplikuesit duhet të paraqisnin për realizimin e kërkesës së tyreNë Njësinë Bashkiake nr.6 punohej në një ambient të marrë me qira dhe ishin të afishuara si orari i punës ashtu dhe dokumentet e nevojshme që aplikuesit duhej të paraqisnin për realizimin e aplikimit të tyre”, - sqaron Dobjani në letrën e tij. Më tej Dobjani është shprehur se në shtatë njësi bashkiake të qytetit të Tiranës, problem përbën mos afishimi i orareve dhe dokumentacionit të nevojshëm për t’u paraqitur nga aplikuesit për letërnjoftim dhe pasaporta. Sipas tij, në pjesën më të madhe orari i afishuar nuk korrespondon me orarin faktik, i shkurtuar prej rreth dy javësh, duke sjellë anomali në mbarëvajtjen e procesit.
28 Korrik 2009