E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat PD-PDI, në “lojë” ministria e Mjedisit dhe dy poste zëvendësministrore

Bisedimet në fazën paraprake, gjithçka do vendoset gjatë kontakteve përfundimtare Berisha-Muhedini. Demokratët kanë sugjeruar për aleatin e tyre se ministrinë e Mjedisit por ngelen të hapur zgjidhje të tjera

Nisin negociatat paraprake mes Partisë Demokratike dhe aleatit të saj Partisë për Drejtësi dhe Integrim për postet qeveritare. Ndonëse nuk është kryer ende asnjë takim zyrtar mes dy kryetarëve të partive respektive për këtë çështje, “pas kuintave” negociatorët respektivë kanë shkëmbyer sinjalet e para. Sipas burimeve pranë këtyre partive mësohet se demokratët kanë shprehur deri më tani sugjerimin e tyre që PDI-ja të ketë një post ministror dhe dy poste në nivel zëvendësministrash. Demokratët kanë sugjeruar fillimisht postin e ministrit të Mjedisit, i cili mbahet aktualisht nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli. Nga ana e saj PDI-ja nuk e ka refuzuar një propozim të tillë por në të njëjtën kohë nuk ka dhënë aprovimin përfundimtar ndaj ftesës së demokratëve për këtë ministri. Negociatorët demokratë i kanë shprehur nga ana e tyre PDI-së se ngelen të hapur për diskutimin e propozimeve që do të vijnë nga ana e PDI-së lidhur me pretendimet e saj, tanimë që është shpallur dhe rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Kryetari i PDI-se Tahir Muhedini deklaroi pak kohë më parë se do të niste zyrtarisht negociatat me Partinë Demokratike të drejtuar nga kryeministri Berisha menjëherë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallte rezultatin përfundimtar. “Rezultatet përfundimtare do të na japin mundësinë të kuptojmë fillimisht hapësirën tonë në Parlamentin e ardhshëm dhe pastaj të nisim negociatat me PD-në”, - deklaroi Tahir Muhedini vetëm pak ditë më parë.
Rezoluta
Përveç posteve konkrete ministrore PDI-ja ka kërkuar edhe disa hapësira dhe mbështetje nga PD-ja të cilat lidhen kryesisht me sensibilizimin dhe lobingun për zgjidhjen e çështjes çame. Partia për Drejtësi dhe Integrim do të kërkojë miratimin e një rezolute nga Kuvendi i ri në mbrojtje të çështjes çame. Kryetari i PDI-se Tahir Muhedini deklaroi pak kohë më parë se PDI-ja po bën gati tekstin e një rezolute e cila do të kërkohet të miratohet që në ditët e para të shtatorit që përkojnë me hapjen e legjislaturës së re Parlamentare. Sipas kryetarit të PDI-së kjo rezolutë do të përcaktojë edhe problematikën e vërtetë të kësaj çështjeje që qëndron pezull prej vitesh mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Rezoluta do të ketë problematiken që ka popullsia shqiptare çame, të drejtat e njeriut në radhë të parë gjenocidin, dëbimin, atë çfarë realisht i takon”, deklaroi Muhedini gjatë një prononcimi për shtyp. Në kuadër të mbrojtjes së kësaj çështjeje kryetari i PDI-së ka deklaruar se do të kërkohet nga maxhoranca dhe kryeministri Berisha edhe përfaqësimi i kësaj partie në delegacionin parlamentar shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Sipas Muhedinit është e domosdoshme që kjo çështje të diskutohet në këtë asamble të rëndësishme gjë e cila nuk ka ndodhur më parë.. PDI është një parti e cila në thelb të programit të saj ka mbrojtjen e çështjes çame. Zgjedhjet parlamentare të 2007 ishin edhe sfida e parë elektorale e kësaj partie pas së cilës PDI-ja arriti të përfaqësohej me anëtarë në Këshillat Bashkiakë të Vlorës, Fierit dhe Tiranës.
Koalicioni
PDI-ja, ka nënshkruar në datën 2 maj marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Vetëm pak ditë para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje komuniteti çam protestoi për vizitën e kryeministrit grek në Shqipëri, Kostas Karamanlis, i cili kishte refuzuar takimin me ta. Ky komunitet u shpreh kundër qëndrimit të qeverisë shqiptare për mos ngritjen e çështjes çame në diskutimin me kryeministrin grek. Ndërsa vetëm dy ditë më vonë, kryetari i PDI-së, e cila është partia që përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri, firmosi marrëveshje bashkëpunimi elektoral me kryeministrin Berisha. Kryeministri Berisha, gjatë konferencës së përbashkët me Karamanlisin, u shpreh se midis dy vendeve nuk ekziston asnjë çështje e mbetur pezull apo e pambyllur. Ndërsa gjatë firmosjes së bashkëpunimit elektoral me PDI-në, Berisha tha se PD-ja do të luftojë gjithmonë për të drejtat e komunitetit çam. “PD-ja ka mbrojtur çështjen e tyre, e mbron dhe do ta mbrojë si një çështje të drejtë. Ka sanksionuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit me vendin fqinj, në të cilin çamët, për ata që i thonë miqësisë miqësi, kanë kontributin më të madh historik që nga 1828-a deri në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë shembullore në luftën për lirinë e vendit ku jetonin, për dinjitetin e tyre. Heronj të shumtë të revolucionit grek janë me origjinë nga shqiptarët e Çamërisë. Ne e firmosim këtë marrëveshje sot, për të fituar zgjedhjet, për të qeverisur së bashku dhe për të çuar përpara zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti, të bindur se tek Sali Berisha kanë pasur dhe do të kenë një avokat të së drejtës së tyre, por te integrimi evropian, do të kenë edhe zgjidhjen dhe përgjigjen më të mire për një seri problemesh”, - është shprehur Berisha.
H. Hasani

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›