KQZ miraton të gjitha vendimet e Kolegjit për Fierin, Tiranën dhe Shkodrën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli dje shpërndarjen e mandateve të fundit të deputetëve që i përkasin qarqeve Shkodër, Tiranë dhe Fier, duke i dhënë fund kështu edhe llogaritjes së deputetëve fitues për parlamentin e ardhshëm. Rezultati zyrtar i zgjedhjeve do të shpallet ditën e shtunë, në një tjetër mbledhje të KQZ-së. Gjatë mbledhjes u miratua me unanimitet shpërndarja e 32 mandateve për Tiranën, 16 për Fierin dhe 11 për Shkodrën. Pas tyre, u miratua edhe emrat e deputeteve për të tri qarqet që kishin mbetur. Por, ndonëse mori fund shpërndarja e mandateve të deputetëve për 12 qarqet e vendit, Kodi Zgjedhor e detyron KQZ të presë dhe pesë ditë për shpalljen përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sipas kryetarit të komisionit, Arben Ristani, Kodi Zgjedhor u jep subjekteve politikë një afat pesëditor për të ankimuar përllogaritjen nga KQZ të formulës në shpërndarjen e mandateve. Kolegji Zgjedhor vendosi dy ditë më parë të lërë në fuqi vendimet e Komisionit Zgjedhor lidhur me tabelën e rezultateve për qarkun e Shkodrës, Tiranës dhe Fierit, gjë që jep sot mundësinë KQZ-së që të zyrtarizojë këto rezultate dhe t'i përkthejë në mandate numerike dhe nominalë. Me këtë vendim u përcaktua dhe në numër se sa deputetë do të jenë brenda koalicioneve dhe mes koalicioneve për secilin qark, por dhe se cilët individë nga lista shumë emërore përfitojnë dhe shndërrohen në deputetë të Kuvendit më të ri Shqipërisë. Ndërkaq, subjektet ata kanë të drejtë, sipas nenit 167 të Kodit Zgjedhor, të ankimojnë vendimin e KQZ-së lidhur me shpërndarjen e mandateve. Për këtë KQZ 'de jure' është e detyruar të presë pesë ditë. Mbledhja e djeshme erdhi pas mbylljes së ankimimeve nga Kolegji Zgjedhor, të cilat nuk sollën asnjë ndryshim thelbësor në vendimet e Komisionit zgjedhor. Deri tani, KQZ ka shpallur 81 mandate, ndërsa pritet të miratojë dhe 59 mandate të tjera, përkatësisht 32 në Qarkun Tiranë, 11 në Qarkun Shkodër dhe 16 në Qarkun Fier. Detyrimi për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve është parashikuar në pjesën e tretë të Kodit Zgjedhor, në nenin 167 të tij, ku thuhet se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore.
28 Korrik 2009