E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Policia e Shkodrës dhunon 20-vjeçarin

 

TIRANE – Në kohën kur qytetarit të dhunuar në Sarandë ende nuk i janë mbyllur plagët e shkaktuara nga oficerët e policisë, një rast i ngjashëm, i denoncuar nga Avokati i Popullit, përsëritet në qytetin e Shkodrës. Sipas Avokatit të Popullit, pre e dhunës ka rënë një 20-vjeçar, i cili ishte i ndaluar në dhomat e komisariatit të policisë në qytetin verior. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja është konstatuar ditën e djeshme gjatë një inspektimi të Avokatit të Popullit në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Gjatë inspektimit, përfaqësuesit e institucionit të AP-së, ndër të cilët edhe vetë Dobjani, kanë vënë re shenja të dukshme të dhunës dhe keqtrajtimit mbi të riun E.A. Sipas burimeve, 20-vjeçari kishte pësuar dëmtime të shumta në trup, të cilat ishin krijuar si pasojë e dhunës që dy punonjës policie kishin ushtruar ndaj të dëmtuarit. Nga të dhënat e siguruara prej Avokatit të Popullit, bëhet e ditur se dy dhunuesit janë E.C. dhe E.R., efektivë të komisariatit ku i riu ishte ndaluar. Burimet nuk kanë dhënë detaje në lidhje me arsyet e shoqërimit të 20-vjeçarit në rajonin e policisë në Shkodër. Pas konstatimit të dhunës së ushtruar nga efektivat blu, Avokati i Popullit ka nisur menjëherë shqyrtimin e rastit. Deri mbrëmjen e djeshme, zyra e AP-së nuk pati një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim të bëhet e ditur nëse do të kërkohet hetim penal për dy efektivët, apo marrje e masave administrative ndaj tyre. Rasti i Shkodrës vjen vetëm pak ditë pasi Ardit Hasanbega, një oficer i policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë së Sarandës, u arrestua dhe ndaj tij filloi procedimi penal për veprën penale të “torturës”. Oficeri Hasanbega u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme dhe më pas u la në “arrest me burg” nga Gjykata e Sarandës, pasi u akuzua se më 6 nëntor ka ushtruar dhunë mbi të ndaluarin në kohën kur po e merrte në pyetje në polici. I dëmtuari Aristil Gllucaj ishte ndaluar nga policia e Sarandës, duke tentuar të kalonte kufirin shtetëror drejt Greqisë në mënyrë klandestine. Dhuna e ushtruar ndaj tij në dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë u bë shkak që atij t’i binte të fikët në sallën e gjyqit, në kohën kur doli në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›