Tre shqiptarë arratisen nga burgu në Greqi
GREQI – Tre të rinj shqiptarë, të arrestuar për vjedhje janë arratisur mëngjesin e djeshëm nga dhomat e paraburgimit të rajonit të policisë në zonën e Thivas. Mediat greke, të cilat i janë referuar deklaratës për shtyp të Drejtorisë së Policisë, kanë deklaruar se tre personat ishin transferuar në rajonin e policisë prej së mërkurës së kësaj jave dhe do të çoheshin në Prokurorinë e qytetit për t’u njohur me vendimet e dënimit që kishte akorduar gjykata ndaj veprave penale që kishin kryer. Në deklaratën e dhënë për mediat, policia vendore është treguar e rezervuar në dhënien e hollësive për mënyrën e arratisjes së tyre, por thuhet se ata kanë prerë hekurat e dritares së qelisë me një sharrë të vogël hekuri, e cila nuk dihet se si ka mbërritur në duart e tyre. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit të Brendshëm grek Prokopis Pavllopulos, i cili ka urdhëruar hapjen urgjente të hetimeve, ndërsa shkarkoi nga detyra shefin e rajonit dhe oficerin e rojës. Po kështu, mediat e shtetit fqinj, pohojnë se autoritetet kanë urdhëruar menjëherë hapjen e një hetimi përkatës për katër policët e shërbimit, ndaj të cilëve tashmë rëndon akuza e moskryerjes së detyrës. Ministri i Brendshëm, që ka dhënë urdhër për hapjen e këtij hetimi, ka pezulluar nga puna njëkohësisht katër policët, si dhe shefin e rajonit të policisë. Sipas mediave, tre të arratisurit i përkisnin një grupi prej 11 personash, të gjithë shqiptarë, të arrestuar për vjedhje të ndryshme dhe bastisje në zonën e Greqisë qendrore. Madje karakteristikë e këtij grupi ka qenë se ishte i përbërë nga persona tepër të rrezikshëm, ashtu siç i kanë cilësuar organet greke të rendit. Tashmë është në zhvillim një operacion i policisë greke për kapjen e tyre dhe për këtë janë lajmëruar edhe doganat greke, si dhe autoritetet shqiptare. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, por thuhet se janë të moshave nga 22 deri në 30 vjeç. Ndërkohë pohohet gjithashtu se informacioni është dërguar në policinë shqiptare për të bashkëpunuar në kapjen e tyre, pasi dyshohet edhe për mbërritjen e tyre në vendin e origjinës. f.m.