E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria të korrigjojë vërejtjet e progres-raportit

 

TIRANE – Bashkimi Evropian mbështet Prokurorinë shqiptare me një fond prej 800 mijë eurosh, me qëllim ndërmarrjen e programeve të inspektimit dhe vlerësimit të punës së prokurorëve. “Projekti do të asistojë Prokurorinë e Përgjithshme në përmirësimin e sistemeve të veta profesionale të menaxhimit dhe praktikave të punës, në mënyrë që të rrisë efiçencën, transparencën dhe drejtësinë e funksioneve të prokurorisë në Shqipëri. Në veçanti, ekspertë spanjollë dhe italianë do të punojnë me Prokurorinë e Përgjithshme për zhvillimin dhe zbatimin e sistemeve moderne profesionale, për inspektimin dhe vlerësimin e prokurorëve; për qartësimin e përgjegjësive të policisë gjyqësore në raport me ato të prokurorëve; për menaxhimin e burimeve njerëzore; dhe për teknikat dhe procedurat e hetimit”, thanë burimet zyrtare. Ndërkaq, Helmuth Lohan, Shef i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, gjatë ceremonisë, tha se “ky projekt do të adresojë dobësitë në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe në kapacitetin hetues të sistemit shqiptar të prokurorisë. Ai do të japë asistencë të drejtpërdrejtë për të kapërcyer disa nga mangësitë e identifikuara nga Raporti Vjetor i Progresit i Komisionit Evropian”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›