E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: “Jemi gati të kërkojmë ndihmë nga FMN-ja nëse prekemi nga kriza”



Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, deklaroi dje se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet financiare ndërkombëtare, konkretisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në rast se është e nevojshme. Sipas tij, aktualisht qeveria shqiptare ka një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Botërore, për mbështetjen e politikave buxhetore. Zëvendësministri Shehu, tha më tej se për momentin nuk është e nevojshme që të merren fonde nga institucionet financiare ndërkombëtare për të përballuar efektet e krizës ekonomike globale. “Që të bashkëpunojmë me FMN-në duhet të kesh marrëveshje e ne momentalisht nuk kemi marrëveshje me ta. Por kjo nuk do të thotë që nëse situata është e tillë që ne të kemi nevojë për mbështetje, të mos shkojmë e të bashkëpunojmë me FMN-në e BB-në”, - theksoi Shehu. Përballë ndikimit në rritje të krizës botërore në ekonominë tonë, e reflektuar kjo te rënia e dërgesave nga emigrantët, ulja e eksporteve, rënia e kreditimit, rritja e papunësisë dhe rënia e të ardhurave në buxhetin e shtetit, qeveria vazhdon ta shikojë situatën me doza të larta optimizmi.
Një ditë më parë, guvernatori Fullani deklaroi në Parlament se gjatë vitit në vijim, mungesa e likuiditetit (parave), do të jetë edhe problemi më i madh, që do të kenë bizneset, qytetarët dhe rrjedhimisht edhe ekonomia. Kjo për shkak edhe të shtrëngimit të kredive nga bankat.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›