Raporti i BB-së: “Shqipëria, e 139-ta në botë për tregtinë”
Banka Botërore, në një raport të sajin, e ka renditur Shqipërinë në vendin e 139-të në shkallë botërore për studimin e infrastrukturës në mbështetje të tregtisë në botë. Në raportin më të fundit, të përgatitur nga ky institucion kushtuar studimit të infrastrukturës në mbështetje të tregtisë në botë gjatë vitit të kaluar, Shqipëria radhitet në vendin e 139-të, nga 150 vendet që ishin analizuar nga ky raport. Në këtë analizë ekonomiko-infrastrukturore, vendi ynë renditet në pozicionin e 132-të përsa i përket performancës së doganave, në të 109-in për dërgesat ndërkombëtare etj. Përsa i përket projektit të rrjetit të rrugëve dytësore, studimi i BB-së tregon se, “99 për qind e këtij rrjeti është ose në kushte të këqija, ose në kushte shumë të këqija”. Kontributi i një rrjeti rrugësh të tilla për të zhvilluar bujqësinë dhe rëndësia që ka bujqësia për PBB-në për zhvillimin ekonomik të vendit dhe uljen e varfërisë, nënvizon rëndësinë që ka përmirësimi sa më i shpejtë i rrjetit të rrugëve sekondare dhe lokale, thuhet në studimin e BB-së. Për të rindërtuar një rrjet rrugësh dytësore e lokale, duke filluar me 1000-1500 km e parë, projekti kërkon një kosto totale që varion nga 200-400 milionë USD. Banka Botërore, së bashku me fondin “Opec”, do të fillojë të kontribuojë me një fond prej 35 milionë USD dhe së bashku me qeverinë shqiptare ka filluar nga negociatat. Por punimet civile për zbatimin e këtij projekti do të fillojnë nga fundi i muajit korrik 2008 për disa segmente rrugore. Në një prononcim për mediat, ditën e djeshme, duke reaguar lidhur me këtë rezultat tejet negativ, zëvendëssekretari për Programin i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, ka deklaruar se Shqipëria ka mbetur pas Haitit e Burundit për sa i përket infrastrukturës në ndihmë të ekonomisë. “Qeveria ‘Berisha’ premtoi në programin e saj 4 000 km rrugë rurale. Ndërsa ka hyrë në vitin e fundit të mandatit, kryeministri duhet t’u tregojë shqiptarëve ku janë këto rrugë, të cilat ndjeshëm po frenojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe investimet e huaja”, - tha Bushati. Sipas tij, kjo situatë rëndohet edhe më shumë, kur Shqipëria në këtë studim renditet pas Tanzanisë, Eritresë, Burundit apo Haitit.
30 Maj 2008