Privatizimi i OSSH-së, ERE shkëmben eksperiencë me rumunët
Enti Rregullator i Energjisë po i paraprin privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, “OSSH”, me një sërë takimesh në vende të ndryshme të rajonit me qëllim shkëmbimin e përvojave të punës së entit rregullator pas privatizimit. Burimet zyrtare të ERE-s bënë të ditur dje se javën e fundit u zhvillua një takim pune me komisionarin përgjegjës të Departamentit të Tarifave të Entit Rregullator të Rumanisë, Viorel Alicus.
Qëllimi i takimit ishte njohja me eksperiencën e Rumanisë lidhur me probleme të tilla si përcaktimi i vlerës së Bazës së Aseteve të Rregulluar “RAB”, mbi të cilën llogaritet fitimi, amortizimi i aseteve, përcaktimi i strukturës së kapitalit, norma e kthimit mbi asetet, standardet e cilësisë së shërbimit të shpërndarjes, skema e subvencionit për shtresat në nevojë, marrëveshjet afatgjata për blerjen e energjisë etj.
BSH hedh për shitje 3.2 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, zhvilloi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të Qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand Ministria e Financave ofroi për shitje bono thesari me maturim 3-mujor, me një total prej 3.2 miliard lekësh, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë në vend.
30 Maj 2008