KESH-i, 2 milionë euro për Nënstacionin Elektrik të Golemit
Zona turistike e Golemit, midis Durrësit dhe Kavajës, nuk do të vuajë më përsa u përket problemeve në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, të paktën për këtë sezon. Me rinovimin e nënstacionit ekzistues, kostoja e të cilit u përballua nga KESH-i, në vlerën 2 milionë euro, kërkesat jo vetëm të banorëve, por dhe të subjekteve turistike në zonë, do të jenë të garantuara për një periudhë 20-vjeçare. Për rinovimin e nënstacionit të Golemit, Korporata ka bërë gjatë natës së djeshme transportimin e transformatorit të ri me kapacitet 31 mega. Për transportimin e tij janë dashur 6 orë punë, ndërsa procesi ka kushtuar dhe bllokimin e autostradës Kavajë-Durrës dhe hekurudhës në pjesën e Golemit nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 05:00 të mëngjesit të së mërkurës. Investimi për nënstacionin e ri të Golemit kap vlerën 2 milionë euro, duke zgjidhur përfundimisht problemin e furnizimit me energji elektrike, të zonës turistike të Golemit, që gjatë vitit të kaluar pati avari dhe defekte të përsëritura si shkak i mbingarkesës.
30 Maj 2008