E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevave për naftën nëpër botë do t’u bashkohen edhe shoferët shqiptarë



Pikërisht në momentin kur çmimi i naftës nuk ka të ndalur duke na surprizuar çdo ditë me shifra të reja, një shenjë e mirë po vjen nga shoferët shqiptarë. Sindikata e Transportit Interurban bën me dije se po përgatit me shoferët e transportit urban dhe interurban në vend një grevë paralajmëruese për çmimin e lartë të hidrokarbureve. Por edhe pse akoma nuk është vendosur data për nisjen e grevës në transportin shqiptar, pikërisht me këtë argument, sindikatat dhe shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve në vendet e BE-së dhe në SHBA janë duke rritur presionin mbi qeveritë e tyre për të reduktuar taksat mbi karburantet. Nën këtë presion, ish-qeveria italiane e Prodit reduktoi në muajin mars 2008, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për benzinën me 2 cent të euros për litër. “E dimë që nuk mund të kontrollojmë çmimin me këtë masë, por ishte e domosdoshme për të treguar që shtetit nuk duhet t‘i interesojë rritja e çmimeve në treg për të përfituar më shumë taksa”, - deklaroi në atë kohë ministri italian për Zhvillimin Ekonomik, Pierluixhi Bersani. Ndërsa në SHBA, kandidati Republikan për President, Xhon Mekein, i kërkoi qeverisë amerikane të ndërmarrë një moratorium për përjashtimin përkohësisht nga taksat të naftës. I ndodhur nën presion, presidenti Bush tha se administrata e tij do shqyrtojë propozimin. Presidenti francez, Sarkozi, edhe ky bëri të njëjtin propozim për Bashkimin Europian. Brukseli tha se do të ndërmarrë një vendim të tillë vetëm në qoftë se do të ketë konsensusin e të 27 vendeve anëtare. Në Shqipëri janë vetëm importuesit ata që po kërkojnë uljen e barrës fiskale për karburantet. Por kjo është kundërshtuar nga qeveria, veçanërisht nga ministri i Financave, Ridvan Bode, që mbron me fanatizëm parimin e djathtë "Laissez faire". Sipas ministrit Bode, “vetëm një qeveri dhe një administratë e keqe do të ndërhynte. Ndërsa një ekonomi tregu, do ta linte atë në rrugën e tij”.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›