E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës, tatimorët u vërsulen distributorëve për abuzime

Qytetarët paguajnë, veç çmimit të lartë, edhe taksat e konsumit. Nga shtrenjtimi i arit të zi shteti fut në buxhet 10 miliardë lekë

Ervin Koçi

Policia Tatimore e kryeqytetit, së bashku me një grup specialistësh të Inspektoratit të Naftës dhe Gazit, nisën dje një aksion kontrolli në pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve. Objekt i tatimorëve mësohet të kenë qenë fillimisht përdorimi në këto pika shitjeje i faturave me TVSH-së si dhe pajisja e tyre me dokumentacionin përkatës. Por, nga ky aksion nuk kanë shpëtuar edhe tabelat e çmimeve që mbanin stacionet e distributorëve në kryeqytet, ku inspektorët tatimorë kanë mbajtur shënim vlerat e tregtimit të karburantit. Paralel me ta kanë nisur dje kontrollet edhe inspektorët e Inspektoratit të Kontrollit të Naftës dhe Gazit, të cilët janë kujdesur më shumë dje për cilësinë e karburanteve dhe nivelin e oktanëve (njësia matëse e pastërtisë së karburantit). Nga ky kontroll i fundit janë vendosur në disa pika të tregtimit të karburanteve me pakicë edhe një sasi gjobash që kapnin vlerën e 500 mijë lekëve. Por me gjitha masat më të fundit çmimi i tregtimit të naftës me pakicë duket se nuk ka ndërmend të zbresë, me gjithë lëvizjet në bursat ndërkombëtare. Po kështu as institucionet shtetërore nuk po ushtrojnë presionin e duhur tek importuesit e hidrokarbureve dhe as po ndërmarrin masa lehtësuese mbi taksat që merren për këto lëndë. Në këtë mënyrë çmimin e lartë të naftës në vendin tonë, nuk e dikton vetëm bursa ndërkombëtare dhe grosistët vendas, por edhe qeveria me akcizën e hidrokarbureve dhe taksat e tjera.

Taksat e naftës

Rritja e përgjithshme e çmimeve të hidrokarbureve gjatë dy viteve të fundit ka sjellë bum të ardhurash në arkën e qeverisë. Mallrat që vijnë nga jashtë por kryesisht ato të akcizës pjesë e të cilave është dhe nafta, zhdoganohen me çmim më të lartë. Një litër naftë shitet sot në tregun vendas me rreth 165 lekë. Dy vjet më parë çmimi varionte nga 115 deri në 120 lekë për litër. Për rrjedhojë, edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar zbatohet në një çmim më të lartë. Qeveria shqiptare fut sot në arkën e saj 40 për qind për çdo lek që qarkullon tregtia e naftës në vend, ose e thënë në vlerë rreth 65 lekë për çdo litër naftë që shitet në territorin e Shqipërisë. Dy vjet më parë, qeveria arkëtonte 45 lekë për çdo litër naftë të shitur në vend. Shqipëria importon mesatarisht 400 deri në 500 mijë tonë karburante në vit. Me një llogari të përafërt, pa përfshirë naftën e prodhuar në vend, paratë shtesë në buxhetin e shtetit, vetëm si pasojë e rritjes së çmimit të naftës arrijnë në 10 miliardë lekë në vit ose e konvertuar, në mbi 80 milionë euro. Por këto para qeveria dhe doganat që çdo vit raportojnë rezultate të majme, nuk ia zhvatin tregut ndërkombëtar por ato i paguajnë konsumatorët finalë, që janë qytetarët ose taksapaguesit shqiptarë.

Fitimi nga spekulimi

Sa më shumë që fitojnë grosistët, importuesit dhe tregtarët e pakicës të hidrokarbureve, aq më shumë leverdi ka shteti, i cili fiton nga taksat e shumëfishta të tyre duke mbushur arkën e tij. Vetëm për vitin 2008 qeveria ka parashikuar që të mbledhë nga akcizat për hidrokarburet plot 38.5 miliardë lekë. Vitin e kaluar në buxhet nga ky zë janë arkëtuar pak më shumë se 27 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2006 të ardhurat nga akciza ishin 19.8 miliardë lekë. Por sipas bilanceve zyrtare të administratës doganore dhe asaj tatimore, të ardhurat janë dyfishuar. Nga mallrat me akcizë rritje të fortë të çmimit kanë shënuar vetëm karburantet, ndërsa produktet e tjera, si duhani, kafeja dhe alkooli, kanë pak a shumë të njëjtat çmime me dy vjet më parë. Efekti vjen i gjithi nga karburanti. Qeveria thotë se rritja e të ardhurave ka ardhur kryesisht si pasojë e luftës ndaj evazionit fiskal, por në fakt qytetarët po paguajnë sot dy herë më shumë taksa për konsum nafte sesa paguanin në vitin 2006.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›