E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia parandalon vjedhjen, arrestohet i dyshuari

TIRANË - Policia ka parandaluar dje vjedhjen e një agjencie udhëtimi duke vendosur në pranga autorin e dyshuar të saj. Sipas burimeve zyrtare, forcat e policisë, në sajë të informacioneve operative, arrestuan shtetasin Altin Mehmeti, 37 vjeç, në Rrugën e Elbasanit, me një armë automatike, tip kallashnikov, të cilën e mbante në një çantë, me qëllim përgatitjen e vjedhjes së një agjencie aty pranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se 37-vjeçari Mehmeti është autor i vjedhjes me armë të agjencisë së udhëtimit “Tirana Travells & Tours”, në rrugën “Mine Peza” dhe agjencisë “Alb Trans”, në bulevardin “Zogu I”, përkatësisht më 10 janar dhe 8 shkurt 2008. Policia e Tiranës sqaroi se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 37-vjeçarit Mehmeti, i dënuar më parë për “vjedhje me armë, në bashkëpunim”, u gjet dhe u sekuestrua edhe një aparat Dixhit-Alb i vjedhur në agjencinë “Alb Trans”. Policia konfirmoi se materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “vjedhje me armë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Në pranga dy persona për falsifikim të dokumenteve zyrtare

TIRANË - Policia e Tiranës ka sekuestruar disa dokumente zyrtare false dhe ka arrestuar dy persona si përgjegjës për këtë veprimtari të paligjshme. Sipas burimeve, gjithçka është realizuar falë operacionit të koduar “Kafazi i pëllumbave”. Policia e Tiranës bëri të ditur dje se në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Mehmet Sulajt, 46 vjeç, si dhe i Ylber Huqit, 56 vjeç, i dënuar më parë për “falsifikim”, banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, shtetasit Ylber Huqi dhe Mehmet Sulaj u kapën në kushtet e flagrancës me një certifikatë personale dhe një vërtetim shkolle të mesme të falsifikuara. Ndërkohë, nga kontrollet që policia ushtroi në banesat e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh të institucioneve të ndryshme false. Kështu, në banesën e shtetasit Ylber Huqi u gjetën 45 vula të institucioneve të ndryshme shtetërore, si të Ministrisë së Jashtme, të Transporteve, të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, të Ambasadës Greke në Tiranë, të disa minibashkive të Tiranës dhe të disa shkollave të mesme. Gjithashtu, forcat e policisë sekuestruan edhe 70 dëshmi aftësie për drejtim automjeti, 30 dëshmi aftësie ndërkombëtare për drejtim automjeti, 10 vërtetime të shkollave të mesme të Tiranës, të vulosura por të paplotësuara, 10 certifikata të regjistrimit të biznesit të vogël të Bashkisë, të vulosura, të paplotësuara, etj. Ndërkohë, në banesën e shtetasit Mehmet Sulaj u gjetën dy vula të falsifikuara të Drejtorisë së Transportit Rrugor dhe dy vërtetime të shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi”, të vulosura por të paplotësuara. Policia e Tiranës konfirmoi se aktet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, “falsifikim i dokumenteve shkollore”, “falsifikim i akteve të gjendjes civile”, “falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “prodhim i mjeteve për falsifikim” në bashkëpunim.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›