E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton mocionin rreth miratimit të ligjeve nga propozimi i Ahtisarit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar dje me dy të tretat e votove një mocion të ngritur nga pesë grupe parlamentare me të cilin anashkalohet Rregullorja e Punës së Parlamentit për mënyrën e miratimit të ligjeve të identifikuara në propozimin gjithëpërfshirës të propozimit të Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Të 34 ligjet bazike shtetërore, 22 prej të cilave burojnë drejtpërdrejt nga propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Marti Ahtisari, parashikohet që për tri ditë pune t’i kalojnë të gjitha procedurat parlamentare dhe të hidhen si paketë për votim në Kuvend. Mirëpo shumica e deputetëve para votimit të këtij ndryshimi, paraqitën vërejtjen për mënyrën e paraqitjes së këtij mocioni. Ngritja e komisionit është kërkuar nëpërmjet një mocioni të veçantë nga pesë grupet parlamentare, ndërsa fuqizimi i tij do të bëhet vetëm pasi të ndryshojë rregulli 61 e Rregullores së punës së Kuvendit. Ky rregull përcakton formën se si Kuvendi me dy të tretat e deputetëve të pranishëm mund ta ndryshojë rregulloren e punës së legjislativit. Vërejtjet e deputetëve kishin të bënin kryesisht me praktikën e përshpejtimit të miratimit të ligjeve apo çështjeve të tjera me rëndësi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kërkuar qasje të përbashkët për mocionin, duke thënë se në komisionin prej 9 anëtarësh, i cili do të shqyrtojë ligjet e pakos së Ahtisarit, marrin pjesë përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare. Deputeti Sabri Hamiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tërhoqi vërejtjen se Kuvendi ka të drejtë të ndryshojë rregulloren e vet, por mënyra se si është kërkuar kjo zgjidhje nuk është e duhur. Sidoqoftë, shumica e deputetëve të opozitës e përkrahën këtë mocion, me arsyetimin se opozita nuk do të jetë opozitë për çështjet dhe vendimet që ndihmojnë finalizimin e shpalljes së pavarësisë. Në seancën plenare deputetet e Kuvendit miratuan edhe propozimin e Grupit Parlamentar të AAK-së, që Naim Maloku të mund të përfaqësojë këtë parti në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe propozimin e kryeministrit Thaçi për emërimin e tre zëvendësministrave që vijnë nga minoritetet. Sasha Rashiç mori pëlqimin e Kuvendit për të kryer detyrën si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Usmen Balldashi, zv.ministër i Arsimit dhe Raif Elezi, zv.ministër i Pushtetit Lokal.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›