E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia e Kosovës, policia shqiptare në gatishmëri pa limit

Tiranë - Policia e Shtetit nga dje është futur në regjim gatishmërie, në pritje të situatës që do të krijohet nga shpallja e mundshme e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, ende nuk është paracaktuar shkalla e kësaj gatishmërie. Urdhri nuk mban firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, kryekomisarit Ahmet Prençi, por të vartësit të tij Rasim Boriçi. Megjithatë, të gjithë drejtuesit e policisë në qendër dhe rrethe janë njohur dje me urdhrin e gatishmërisë dhe u është kërkuar që ta punojnë atë me vartësit e tyre.
Shkresa
Burimet thanë se shkresa urdhëron regjimin e gatishmërisë, i cili hynte në fuqi dje, por nuk përcakton kohëzgjatjen e saj. Efektivat porositen që të lwnw adresat dhe kontaktet e tjera duke u lënë të kuptohet se do të thirren në çdo rast të mundshëm të prishjes së qetësisë dhe rendit, por edhe në rast të ndonjë eventualiteti. Përveç kësaj, masat e marra synojnë ruajtjen e rendit, qarkullimin normal në të gjitha rrugët të automjeteve dhe njerëzve dhe organizimin e postblloqeve 24-orëshe stacionare dhe të lëvizshme në Tiranë dhe rrethe. Në zbatim të gatishmërisë do të marrin pjesë të gjitha strukturat e policisë, të cilat do të bashkëveprojnë me forcat speciale të Ministrisë së Brendshme. Ndërsa për Forcat Speciale të RENEA-s, Forcat e Ndërhyrjes së
Shpejtë, është vendosur të jenë të gatshme për t’u futur në veprim në çdo moment të nevojshëm, pasi këto të fundit janë gjithnjë forca të gatishmërisë së lartë.
E diela
Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet nga policia ditës së diel, kur pritet të nisin kremtimet për pavarësinë e Kosovës, kur shërbime të përforcuara të policisë do të jenë të pranishme dhe do të jenë të gatshme për të evituar çdo sjellje antiligjore, si dhe për të mos lejuar askënd të prishë rendin dhe sigurinë publike. Nëse do të konstatohen raste të tilla, policia do të veprojë sipas ligjit, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmojnë uniformat blu në zbatim të ligjit dhe të distancohen nga çdo veprim që bie ndesh me ligjet.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›