E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet në SHBA një i kërkuar për “rrëmbim personi”

TIRANË - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi dje ekstradimin nga Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shtetasit në kërkim ndërkombëtar për “rrëmbim personi”, Drini Brahimllari, 35 vjeç, nga Korça. Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Drini Brahimllari ka qenë i kërkuar në nivel ndërkombëtar nga autoritetet e Drejtësisë amerikane, konkretisht nga Gjykata e Michiganit, si i dyshuar për veprën penale “rrëmbim personi” dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Mësohet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me Vendimin Nr.362, datë 05.12.2007, ka vendosur lejimin e ekstradimit të shtetasit Drini Brahimllari drejt SHBA-së, vendim që ka marrë formën e prerë më 16.12.2007. Në Aeroportin e Rinasit shtetasi në fjalë iu është dorëzuar oficerëve të Zyrës Federale të Hetimit të SHBA-ve.
Ekstradimi i këtij shtetasi është realizuar në kuadër të marrëveshjes në fuqi për ekstradimet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vrasja në Francë, burg për shqiptarin

Tiranë - Vrasja e kryer 12 vjet më parë në një qytet të Francës do t’i kushtojë 7 vjet e katër muaj burg Zamir Povatës. Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka dhënë dje vendimin përfundimtar duke e shpallur fajtor Povatën për vrasjen e shtetasit francez Jackey Aubeau dhe duke e dënuar me 11 vjet heqje lirie. Në vendimin e saj, gjykata ka ndryshuar cilësimin e veprës penale duke e konsideruar atë në kushtet e tronditjes së fortë psikike, çka ka bërë që dënimi i dhënë të jetë më i ulët se ai që u kërkua nga prokurori i çështjes. I pandehuri e kishte pranuar fajin dhe kishte kërkuar gjykimin e shkurtuar çka i ka siguruar atij në fund të procesit uljen e 1/3 së dënimit. Përfundimisht, atij do t’i duhet të qëndrojë në qeli për 7 vjet e katër muaj. Zamir Povata ishte dënuar në Francë me 30 vjet burg, pasi në qershor të vitit 1996 kishte vrarë në qytetin e Nantës një student të quajtur Jackey Aubeau. Pas arratisë, Povata u kap në Durrës dhe u rigjykua në Shqipëri, duke u ridënuar.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›