E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: S‘ka kushte në katër paraburgime

 

TIRANE – Një “mal” me probleme ishte përfundimi i një inspektimi të Avokatit të Popullit pak ditë më parë në disa prej institucioneve të burgimit dhe paraburgimit në vend. Kushtet e vështira të qëndrimit ka qenë problemi kryesor i vërejtur në dhomat e paraburgimit të Kukësit, Burrelit dhe Beratit. Gjithashtu inspektim është kryer edhe në dhomat e shoqërimit të Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, ku problemet kanë qenë më së shumti të karakterit procedural. Dhoma të paajrosura, lagështirë, ambiente të papërshtatshme të ajrimit ishin disa nga problemet, ndërsa raporti shtohej edhe me mungesa të ambienteve për kryerjen e riteve fetare, punë e papaguar e të burgosurve dhe produkte me çmime më të larta se ato të tregut. Pas kontrolleve të kryera, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i është drejtuar krerëve përkatës të institucioneve të inspektuara, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë me rekomandimet përkatëse për përmirësimin e situatës. “Kushtet e qëndrimit të të paraburgosurve në dhoma lenë për të dëshiruar, si përsa i përket ajrimit të pakët, ashtu dhe mungesës së krevateve”, thuhej në raportin për paraburgimin e Kukësit.
Ndërsa në pikën 9 të raportit për burgun dhe paraburgimin e Burrelit, Dobjani “denonconte” mospagimin e të burgosurve që punonin. “Të dënuarit, të cilët kryenin punë në këtë institucion nuk paguheshin. Ky është shqetësim i ngritur prej kohësh dhe nga institucioni i AP dhe nuk ka marrë ende zgjidhje, në një kohë që në të gjitha institucionet e tjera të dënuarit paguhen për punën e kryer”, thuhej në raport. Po në burgun e Burrelit inspektorët e AP-së kanë konstatuar se kishte të dënuar që, edhe pse sipas vendimit të gjykatës duhet të qëndronin në një burg të sigurisë së zakonshme, qëndronin në një burg të sigurisë së lartë. Referuar inspektimeve, rezulton se në burgun e Burrelit dhe në paraburgimin e Beratit mungojnë mjediset e veçanta, me qëllim që të paraburgosurit të ushtronin ritet fetare sipas besimeve të tyre. Në dhomat e shoqërimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe komisariateve në varësi të saj, problematikë është parë mosnjohja e saktë e kritereve ligjore lidhur me rastet e shoqërimit të shtetasve në organet e policisë.  ar.ba

U kontrolluan

- Paraburgimi Kukës
- I.E.V.P. Burrel
- Paraburgimi Berat
- Drejtoria e Policisë Shkodër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›