E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani; Të burgosur shqiptarë në burgjet maqedonase, arsyet e mostransferimit

Avokati i Popullit maqedonas përcjell shqetësimin dhe kërkon shkaqet e mostransferimeve të ndërsjella të të burgosurve mes dy shteteve. Dobjani kërkon nga ministri Nishani të verifikohen arsyet pse këto kërkesa nuk kanë një përgjigje zyrtare

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, përmes një shkrese drejtuar ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, ka kërkuar një informacion lidhur me problemin e mostransferimit të disa të burgosurve shqiptarë nga Maqedonia në Shqipëri dhe anasjelltas. Në këtë shkresë, z. Dobjani i shpreh shqetësimin e tij numrit një të Ministrisë së Drejtësisë të përcjellë edhe nga homologu maqedonas, duke u shprehur se “në vitin 2008, Avokati i Popullit të Republikës së Maqedonisë, z. Ixhet Memeti, na ka dërguar një kërkesë për bashkëpunim lidhur me problemin e mostransferimit të disa të burgosurve shqiptarë nga Maqedonia në Shqipëri, si dhe të disa të burgosurve maqedonas nga Shqipëria në Maqedoni”. Në letrën dërguar zotit Dobjani, homologu Memeti shkruante ndër të tjera, se nga dokumentet që administron Avokati i Popullit të Republikës së Maqedonisë rezulton se vitet e fundit, 9 shtetas shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin në burgun ENK “Idrizovë” në Maqedoni, kanë bërë kërkesa për transferim nga Republika e Maqedonisë në Republikën e Shqipërisë. Mirëpo, sipas Memetit, megjithëse kërkesa e tyre është përcjellë nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, akoma nuk është bërë transferimi i tyre. Z. Dobjani i ka dërguar ministrit Nishani së bashku me shkresën, edhe kërkesën e homologut maqedonas për bashkëpunim, si dhe emrat e të burgosurve shqiptarë në burgjet maqedonase. Gjithashtu, Avokati i Popullit të Republikës së Maqedonisë, në kuadrin e bashkëpunimit të ndërsjellë kërkon angazhimin e palës shqiptare edhe për shpejtimin e procedurave për transferimin në Republikën e Maqedonisë së dy shtetasve maqedonas që vuajnë dënimin në burgjet e Republikës së Shqipërisë. Sipas z. Dobjani, bëhet fjalë për shtetasit Blerim Fejzullahu dhe Habib Rexhepi, për të cilët Ministria e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë i ka bërë kërkesë për transferim Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, respektivisht në datat 14.08.2008 dhe 12.06.2008. Avokati i Popullit kërkon nga ministri Nishani kryerjen e disa verifikimeve nga ana e institucionit që drejton, lidhur me këto dy kërkesa dhe mundësisht, struktura përkatëse pranë Ministrisë së Drejtësisë t’i kthejë përgjigje asaj të Republikës së Maqedonisë. Z. Dobjani kërkon një përgjigje institucionale për këto verifikime edhe për institucionin e tij, me qëllim që të vihet në dijeni homologu maqedonas. Bashkëngjitur kësaj shkrese, Avokati i Popullit ka vënë në dispozicion të Ministrisë së Drejtësisë edhe fotokopjen e kërkesës së Avokatit të Popullit të Maqedonisë dhe fotokopjet e kërkesave që janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë.

Të dënuarit shqiptarë që kanë kërkuar transferim

1. Shkëlqim Garip Halili ka bërë dy kërkesa për transferim në vitin 2001 dhe në vitin 2007.
2. Shkëlqim Byslim Krasniqi ka bërë kërkesë në vitin 2007.
3. Zini Arif Ferati ka bërë kërkesë në vitin 2005.
4. Milazim Rufat Dida ka bërë kërkesë në vitin 2007.
5. Nildet Fuat Meçkai ka bërë kërkesë në vitin 2008. Për këtë person na sqaron se ka arritur përgjigja, e cila është në procedurë përkthimi.
6. Petrit Pasko Gjika ka bërë kërkesë në vitin 2007.
7. Jonuz Braim Mazreku ka bërë kërkesë në vitin 2007.
8. Elvis Hila ka bërë kërkesë në vitin 2007.
9. Gentjan Gjona ka bërë kërkesë në vitin 2008.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›