E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, 18 mijë emigrantë kanë hyrë në 24 orët e fundit

Sikurse edhe pritej, vigjilja e Krishtlindjeve ka sjellë në Shqipëri një numër të konsiderueshëm emigrantësh që jetojnë e punojnë në Greqi. Vetëm nëpërmjet Kakavijës kanë hyrë në territorin shqiptar mesatarisht rreth 10 mijë emigrantë, 2700 automjete e 65 autobusë.

Numri mjaft i lartë i hyrjeve të shtetasve, i automjeteve ka bërë që gjendja të paraqitet mjaft e rënduar, por duke evituar radhët e gjata. Dyndja më e madhe e lëvizjeve përfshin harkun kohor 00:00-05:00 të mëngjesit, ndërsa e gjithë dita e djeshme ka qenë mjaft e ngarkuar.

Për zyrtarët e vendkalimit të Kakavijës radha dhe pritja është e natyrshme, duke pasur parasysh fluksin tepër të madh, ndërsa theksojnë se "kemi të bëjmë me një gjendje jashtëzakonisht të rënduar për shkak të ardhjes së një numri mjaft të madh emigrantësh.

Megjithatë, vazhdimisht pala shqiptare është duke punuar me kapacitetin maksimal të sporteleve, si dhe të personelit". 9 sportele në hyrje janë vënë në dispozicion të emigrantëve nga pala shqiptare, ndërsa ajo greke ka vepruar me procedura të thjeshtuara, për të shmangur radhët.

Burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë bërë të ditur se vetëm gjatë shtatë ditëve të fundit kanë ardhur në Shqipëri për festat e fundvitit rreth 50 mijë shtetas shqiptarë. Ndërkaq, fluksi pritet të jetë tepër i lartë edhe në ditët e ardhshme, deri në 31 dhjetor, kohë në të cilën nis edhe kthimi i emigrantëve në Greqi.

Ndërsa në Kapshticë, komandanti i pikës së kalimit kufitar, Dritan Shema, thotë se në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet këtij vendkalimi 8 mijë emigrantë shqiptarë me 3200 automjete. Por fluksi më i madh ka qenë në orët e para të mëngjesit.

Pala shqiptare punon me 6 sportele, 4 prej të cilave funksionojnë për hyrjet në atdhe, kurse 2 të tjerat për dalje. Pala greke nga ana tjetër për daljet nga Greqia ka vënë në punë 3 sportele.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›