Vret babanë, duke luajtur me pistoletën
Vret babanë aksidentalisht, duke luajtur me pistoletë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shtikë të Kolonjës. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se një i ri ka qëlluar mbi babanë e tij nga pakujdesia, ndërsa ka qenë duke luajtur me armën që ka sjellë edhe pasoja tragjike. Ka qenë ora 22.15 e së hënës, kur 24-vjeçari Andon Zoja, i ndodhur në shtëpinë e tij, po kontrollonte një armë që e mbante në dorë, por ka mjaftuar një shkrepje e pavullnetshme që plumbi t‘i marrë jetën babait të tij. Sipas policisë, 55-vjeçari Petraq Zoja ka mbetur i vdekur në vend, kur nga shkrepja e armës së zjarrit me të cilën luante i biri ka marrë një plumb në afërsi të zemrës. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se janë njoftuar menjëherë për atë që ka ndodhur në familjen Zoja, kur 55-vjeçari ka mbetur pa jetë i shtrirë përtokë në të njëjtën dhomë ku bashkë me djalin e tij ishin duke parë një program televiziv. Djali i viktimës ka rrëfyer për policinë 15 minuta pas ngjarjes së rëndë në banesë historinë e dhimbshme, ndërsa është vetëdorëzuar pas vrasjes aksidentale të të atit. Siç ka deklaruar vetë 24-vjeçari Andon Zoja, gjithçka ka ndodhur në një moment pakujdesie, kur ndërsa i tregonte armën që mbante në dorë, pistoleta është shkrepur duke e qëlluar në pjesën e gjoksit. Arma tip pistoletë trofe ishte pa leje. Policia ka thënë se 24-vjeçari zotëronte një armë pa leje dhe këtë fakt ia ka treguar edhe babait të tij. Andon Zoja është arrestuar nga uniformat blu, ndërkohë që ndaj tij rëndojnë akuzat e vrasjes nga pakujdesia dhe armëmbajtjes pa leje. Policia ka bllokuar pistoletën në cilësinë e provës, ndërsa i riu po merret në pyetje se ku e ka siguruar armën.