Dobjani e KSHH: Policia dhunë mbi të miturit e paraburgosur
TIRANE – “Njerëzit e shtetit” dhunojnë të miturit gjatë shoqërimit dhe më pas arrestimit në dhomat e komisariateve të policisë. Lajmi bëhet i ditur nga një raport i Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit për trajtimin e të miturve në komisariate. Raporti është përpiluar gjatë marrjes në pyetje të 16 të miturve që mbahen në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet, 12 prej të cilëve kanë pohuar se janë dhunuar gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Raporti i është dërguar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe kryeministrit, ku është kërkuar edhe marrja e masave urgjente për eliminimin e dhunës në komisariatet e policisë. Sipas raportit të rinjtë pohojnë se janë dhunuar sistematikisht nga gjatë ndalimit ose arrestimit nga efektivat e policisë ose gjatë marrjes në pyetje nga Oficerë të Policisë Gjyqësore. “Nga 12 të mitur që denoncojnë dhunë, 10 prej tyre identifikojnë bashkërisht si mjete dhune të përdorura nga punonjës të policisë, tel telefoni, kabllo kompjuteri, shkop bejsbolli, shufra hekuri dhe shkop gome. Këta të mitur pretendojnë se dhuna shpesh është ushtruar në pjesë të caktuara të trupit, që nuk lënë gjurmë si në shputat e këmbëve dhe të duarve”, thuhej në një nga pikat e raportit. Sipas Dobjanit, dhuna ka qenë në të gjitha rastet e kombinuar fizike dhe psikologjike dhe ka pasur si synim që të “ndëshkojë” të miturit për aktin e kryer dhe t`i kërkojë atyre pranimin e akuzës. Gjithashtu, në raport evidentohet edhe qëndrimi indiferent i prokurorëve, kur të miturit kanë denoncuar dhunën në gjykatë, në seancat e vleftësimit apo caktimit të masave të sigurisë. ar.ba