U hakmor për babanë, ekstradohet nga Italia
TIRANE - Interpoli ka sjellë dje në pranga nga Milano e Italisë, Geron Hasanbelliun, i kërkuar për vrasje në bashkëpunim. Për 5 vjet ai i ka shpëtuar ndjekjes së policisë, derisa u arrestua nga policia italiane. Hasanbelliu akuzohet për vrasjen e Julian Çelës dhe plagosjen e Kasandër Nogës, ngjarje e ndodhur më 17 mars të vitit 2002 në një lokal në Belgjikë. Sipas policisë, vrasja e kryer nga Geron Hasanbelliu në bashkëpunim me vëllain e tij Erjonin, është kryer për motive gjakmarrjeje, pasi Çela dhe Noga u kishin vrarë babanë e tyre, Ali Hasanbelliu. Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të riun që ka realizuar vrasjen për hakmarrje. Ngjarja për të cilën ai pretendon se ka marrë hak ka ndodhur më 19 gusht të vitit 2000. Kasandër Noga kishte hyrë me automatik në dorë i shoqëruar nga Julian Çela dhe pasi kanë shkelmuar dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i Geronit) dhe Dritan Hajdini, u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Gjatë kësaj ngjarje u plagosën edhe 3 persona të tjerë vëllezër dhe të afërm të Hasanbelliut. Sipas të dhënave të policisë, vrasja kishte ndodhur për motive hakmarrjeje. Vëllezërit Hasanbelliu më pas u vunë në ndjekje të të riut nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, më 17 mars 2002, Geroni së bashku me Erion Hasanbelliun tentojnë të hakmerren. Në lokalin Prehistori në Antverp të Belgjikës, ata qëllojnë me armë Juljan Çelën dhe Kasandër Nogën. Në këtë atentat mbetet i vrarë Juliani, ndërsa plagoset rëndë Kasandri. Për këtë ngjarje Gjykata e Fierit vendosi masën e arrestit me burg. e.d