I dashuri i kërkon abortin, studentja hidhet nga kati 12
Blenard Rexhepi/ Tetovë
Vetëvritet në Tetovë studentja nga Tirana. Xhoana D., 22 vjeçe, humbi jetën mbrëmjen e të martës rreth orës 19:00 pasi u hodh nga dritarja e shtëpisë ku banonte. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së Tetovës, të cilat thanë se viktima e ngjarjes studionte në Degën e Juridikut në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Sipas hetimeve të deritanishme dyshohet se problemet familjare për një kohë të gjatë kanë qenë shkaqet e vetëvrasjes së vajzës 22-vjeçare nga Tirana. Policia e Tetovës njofton se vajza, e cila përkohësisht qëndronte në Tetovë në një banesë në rrugën e Ilindenit numër 46, blloku 77, është hedhur nga dritarja e hapur e banesës prej katit të 12-të. Rreth orës 19:00 studentja ka kryer vetëvrasjen, ndërkohë është njoftuar policia, e cila ka mbwrritur menjëherë në vendngjarje. Sipas burimeve zyrtare mësohet se 22-vjeçarja nga Tirana ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin klinik të Tetovës. Dy persona që kanë rastisur në vendngjarje u përpoqën ta ndihmojnë viktimën duke e çuar për në spital, por mjekëve nuk u mbeti gjë tjetër veçse të konstatonin vdekjen e studentes. Sipas burimeve të policisë, 22-vjeçarja Xhoana D., nga Tirana, prej një kohe të gjatë dyshohet se ka qenë në depresion për shkak të problemeve familjare. Të martën kur u vetëvra, mësohet se ajo kishte tentuar edhe dy herë të tjera, por ishte penguar nga dy shoqet e saja që banonin me të, ndërsa herën e tretë ka arritur fshehurazi të hidhet nga kati i 12-të i ndërtesës. Policia nuk dha detaje të tjera lidhur me ngjarjen që tronditi banorët e zonës. Ata thonë se është hera e parë që një studente nga jashtë Maqedonisë vendos t’i japë fund jetës në këtë mënyrë. Persona që bëjnë pjesë në shoqërinë e vajzës e komentojnë ngjarjen në mënyra të ndryshme. Ata thonë se një shkak i mundshëm për vetëvrasjen e studentes mund të ketë qenë edhe lidhja e saj me një djalë me të cilin ka kaluar disa kohë, derisa 22-vjeçarja kishte mbetur shtatzënë. Sipas shoqërisë së vajzës, sapo kishte mësuar lajmin partneri i studentes tentoi që t’i shpëtonte përgjegjësisë, duke e kërcënuar vajzën me ndarje nëse ajo nuk abortonte. Ky shkak, sipas shoqërisë së studentes, dyshohet se e ka detyruar Xhoanën që t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i 12-të. Policia njoftoi se grupi i hetimit së bashku me gjykatësin hetues dhe zëvendësprokurorin kanë bërë verifikime në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar procedura për zbardhjen e plotë të vetëvrasjes së 22-vjeçares. Trupi i saj i është dorëzuar morgut për ekspertizë.