Tetë trafikantë armësh dënohen me 48 vjet burg
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda dha dje një total prej 48 vjetësh burg për 8 persona, anëtarë të dy grupeve të ndryshme, të akuzuar për trafik të armëve dhe të municioneve. Togat e zeza të Krimeve të rënda deklaruan fajtor për akuzën e “trafikut të armëve” dhe dënuan me nga 11 vjet burg Bashkim Dervinën dhe Bujar Dokun. Për të pandehurit Fillim Palushi dhe Ardit Mane, gjykata vendosi dënimin e tyre me nga 4 vjet heqje lirie, për akuzën e “armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Katër personat janë arrestuar në kuadrin e disa operacioneve antitrafik të armëve në prill të vitit 2007. Sipas prokurorisë, ata siguronin armë luftarake të tipit pistoletë në Shqipëri dhe më pas i trafikonin ato drejt Kosovës. Ndërsa po dje Gjykata vendosi dënimin me burg për katër persona të arrestuar nga operacioni policor i koduar “Bjeshkët”. Ndërsa në një seancë më parë, prokuroria kishte kërkuar dënimin e ture me një total prej 48 vjetësh burg dje gjykata vendosi 9 vjet burg për Ahmet Ferhatin, 3 vjet e 3 muaj burg për Rrahman Demajn dhe nga 3 vjet burg për Zamir Kotrrin e Artan Aliajn. Për të pandehurin Aliaj gjykata vendosi shuarjen e masës së tij të sigurisë dhe lirimin e tij. Të pandehurit akuzoheshin nga prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik të armëve kryer në bashkëpunim. Sipas organit të akuzës, ata kishin trafikuar brenda territorit shqiptar disa pistoleta të tipit “mini blow” të siguruara në Kosovë. Në të dy grupet e mësipërme, trafiku i armëve është zbardhur pas transkriptimeve nga prokuroria të bisedave telefonike mes të pandehurve. ar.ba