Operatori i katërt, kompania paguan paratë
Kompania fituese e tenderit ndërkombëtar për operatorin e katërt celular ka derdhur dje paratë në buxhetin e shtetit. Bashkimi i Ofertuesve përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, SHA, ka likuiduar në llogari të buxhetit të shtetit pagesën në shumën 7.200.000 euro. Dhënia e së drejtës së përdorimit për 15 vjet, në brezin e frekuencave e GSM dhe GSM 1800, do t’i shërbejë nxitjes së konkurrencës në tregun e telefonisë së lëvizshme në vend dhe reduktimit të mëtejshëm të tarifave të telefonisë celulare. Aktualisht në tregun vendas të telefonisë celulare operojnë tre kompani AMC, Vodafone dhe Eagle Mobile. Hyrja e operatorëve të rinj në tregun e telefonisë celulare ndikon në rritjen e gamës së shërbimeve të cilësisë së tyre, por mbi të gjitha në uljen e tarifave të bisedave telefonike.