“Masakra e Cërrikut”, avokatët dështojnë seancën e 8 në radhë
TIRANE – Prokuroria i kërkoi dje Gjykatës për Krimet e Rënda të vlerësojë kushtet për zhvillimin e një gjykimi të pandërprerë të të pandehurve të dosjes së “masakrës së Cërrikut”. Shkak u bë shtyrja për të tetën herë radhazi të këtij procesi si rezultat i mungesës së avokatëve. Mungesa e një avokati për një prej të akuzuarve si autorë të ngjarjes së marsit 1997 në Cerrik, ku u vranë 6 punonjës së Gardës dështoi dje zhvillimin e procesit. Dështimi i seancës shkaktoi pakënaqësi tek dëshmitarët e paraqitur në Gjykatë, të cilët janë larguar për të disatën herë nga gjykata dje, pa e dhënë dëshminë e tyre. Ndërsa prokurorët e çështjes e cilësuan situatën e krijuar si “skenar” i përgatitur i avokatëve. Ata kërkuan nga gjykata të shikonte mundësinë e gjykimit të pandërprerë, pra seancë gjyqësore çdo ditë të javës. Gjykimi i pandërprerë nuk u pranua nga togat e zeza. Realizimi i kësaj forme gjykimi u vlerësua si i pamundur, për shkak të angazhimeve të gjyqtarëve të çështjes në proceset e tjera gjyqësore tek Krimet e Rënda. Mungesa e njërit prej avokatëve të nëntë të pandehurve të kësaj dosjeje zuri “ngërç” procesin. Gjatë apelit të palëve në proces kryesuesi i seancës, gjyqtari Klodian Kurushi, vuri në pah mungesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit Meti Bozi. Vetë i pandehuri nuk pranoi të vijonte gjykimin pa avokat. Mundësia e zëvendësimit të avokatit më një nga avokatët prezentë u vlerësua e pamundur nga ana e prokurorëve, për shkak të konfliktit të interesave mes të pandehurve. Prokurori Anton Martini pohoi para gjykatës se shtyrjet e seancave ishin një “skenar” i avokatëve mbrojtës. “Për çdo avokat që mungon dhe që zëvendësohet nga Gjykata, kërkoj të caktohen dy avokatë kryesisht, të cilët duhet të njihen me dosjen”, u shpreh prokurori. Në përfundim Gjykata vendosi zëvendësimin e avokatit të munguar me dy avokatë kryesisht, si edhe njoftimin e Dhomës së Avokatisë Tiranë, për mungesat e avokatëve. Shtyrja e seancës, dështoi dje edhe pyetjen e dëshmitarëve të paraqitur në Gjykatë. Pesë dëshmitarët, ish-gardistë në vitin 1997, tre prej të cilëve endë në detyrë, paraqiten në ambientet e Gjykatës. Pas shtyrjes së procesit ata shfaqën pakënaqësi, duke pohuar se do t’i drejtoheshin Ministrisë së Drejtësisë për situatën e krijuar. ar.ba