Shemben 14 kioska në qendër, 17 të tjera në ditët në vijim
ELBASAN – E gjithë qendra e Elbasanit do të pastrohet nga dhjetëra kioska, ku vetëm 14 objekte janë prishur nga Inspektorati i Ndërtimit pranë Bashkisë ditën e mërkurë. Inspektori i Policisë Ndërtimore pranë Bashkisë, Aurel Kaja, tha se prishja e këtyre objekteve pa leje realizohet në kuadër të projektit që ka ndërmarrë Bashkia e Elbasanit për zgjerimin e qendrës së qytetit. Prishja e objekteve pa leje, pas vendimit të KRRT- së, ka shkaktuar pakënaqësi te pronarët e tyre, të cilët nuk kanë pranuar që të heqin mallrat nga lokalet, edhe pse kanë më shumë se 14 ditë që janë lajmëruar, çka ka bërë të nevojshme edhe ndërhyrjen e policisë së rendit në vendin e ngjarjes. Gjithsesi, gjithçka është realizuar pa asnjë incident. 14 objektet janë prishur dhe sipas Kajës, “prishja e këtyre objekteve është faza e parë e aksionit që ka ndërmarrë Inspektorati i Policisë Ndërtimore". Së shpejti, po në këtë vend, do të prishen edhe 17 objekte të tjera pa leje. Prishja e tyre, sipas Kajës, do të sjellë edhe lehtësira tek punëtorët e firmës që po kryen fazën e parë të punimeve për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, me një financim prej 36 milionë lekësh, akorduar nga buxheti i shtetit.
Prangoset, për Shën Valentinin qëlloi me thikë kunatin
FIER – Pikërisht në ditën e Shën Valentinit ka plagosur rëndë me thikë kunatin e tij dhe më pas është zhdukur, por më në fund, pas dy javësh hetimi, ka rënë në prangat e policisë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se pas një pune disaditore të forcave policore të Vlorës dhe Fierit, u arrestua të mërkurën shtetasi Bledar Aliraj. Sipas tyre, 28-vjeçari Aliraj, lindur në qytetin e Vlorës, u ndalua dje në mesditë, rreth orës 13:00, teksa qëndronte në një lokal të qytetit bregdetar”. Ngjarja për të cilën akuzohet Aliraj ka ndodhur më 14 shkurt të këtij viti, në fshatin Levan të rrethit Fierit, kur 2- vjeçari plagosi rëndë me thikë kunatin e tij, Vladimir Zyka. Nga hetimet e deritanishme të policisë rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
28 Shkurt 2008