Vetëvaret nga depresioni 50-vjeçarja, tenton vetëhelmimin një grua tjetër
Sërish viktima të tjera nga fenomeni i vetëvrasjes, pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në Vlorë, Lushnjë, Korçë dhe Kurbin gjatë kësaj jave. Një grua 58-vjeçare nga një fshat i rrethit të Korçës i ka dhënë fund jetës me vetëvarje mëngjesin e djeshëm, si shkak i një depresioni të momentit, ndërsa një 50-vjeçar nga Elbasani piu një sasi fostoksine, por falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, i shpëtoi vdekjes.
Burime zyrtare të policisë së Korçës pohojnë se shtetasja Selime Çallëku, 58 vjeçe, nga fshati Vloçisht, është vetëvarur rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm në banesën e saj. Policia tha se 58-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve të rritur, është varur me litar në ambientet e shtëpisë, ku edhe është gjetur e pajetë nga bashkëshorti i saj, Xhafer Çallëku. Nga hetimet e policisë, por edhe dëshmi të të afërmve të viktimës, shkak i vetëvarjes së gruas 58-vjeçare ka qenë një depresion i momentit. Dy fëmijët e çiftit Çallëku, një djalë dhe një vajzë në moshë të rritur, ndodhen si emigrantë ekonomikë në Itali, ku kanë qenë për më shumë se një vit edhe prindërit e tyre dhe janë kthyer më pas në fshatin e tyre. Policia tha se gruaja që u vetëvar nuk ka lënë asnjë dëshmi apo provë që të tregojë për shkakun e vdekjes dhe nga verifikimet e para ka dalë se motivi ka qenë depresioni.
Ndërsa burimet policore në Elbasan bëjnë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes së martë është shtruar në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin kirurgjik të Elbasanit 50-vjeçari Feta Hyseni, lindur e banues në këtë qytet. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se ky shtetas ka pirë helm të llojit fostoksinë. Pasi ka marrë ndihmën e parë në Spitalin kirurgjik të Elbasanit në orët e para të mëngjesit të djeshëm, 50-vjeçari është nisur për në Spitalin Ushtarak të Tiranës për të marrë një mjekim më të specializuar. Aktualisht grupi hetimor i ngritur për këtë çështje ka marrë në pyetje të afërmit e 50-vjeçarit, për të zbardhur rrethanat që e çuan atë të vetëhelmohej.
Të martën në mëngjes u gjet trupi i pajetë i Kejda Hasanagës, studentes së vitit të parë për anglisht në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Burimet policore thanë se 21-vjeçarja është hedhur nga një shkëmb i lartë në zonën e Ujit të Ftohtë dhe, për pasojë, gjeti vdekjen. Po dy ditë më parë, një grua u vetëvar në banesë, ku për të realizuar aktin fatal, kërkoi ndihmën e të birit.
28 Shkurt 2008