E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë gati masat e dëmshpërblimit për 936 kërkesat e para

Laureta Rryçi

Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur deri tani 936 kërkesa për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Nga fillimi i këtij viti e deri në këto ditë është përgatitur relacioni për 11 prej tyre, të cilat kanë kaluar për shqyrtim dhe janë gati për të kaluar për llogari të masës së dëmshpërblimit. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie pohuan dje se kërkesat kanë mbërritur pas tërheqjes së formularit nëpër filialet e Postës Shqiptare. Ndërsa pjesa tjetër e kërkesave ka marrë drejtime të ndryshme. Disa kërkesa janë cilësuar nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë të pavlefshme, sepse nuk u takon të përfitojnë dëmshpërblim për shkak të lidhjes që kanë pasur me të dëmtuarin. Me gjithë njoftimet nga institucionet, sërish ata që pretendojnë se duhet të përfitojnë nga dëmshpërblimi i të përndjekurve ende nuk e kanë shumë të qartë dokumentacionin që u nevojitet për të qenë pjesë e përfituesve.

Shqyrtimet
Për 11 kërkesa tashmë po merret vendimi përfundimtar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Këta qytetarë mësohet se kanë dorëzuar një dokumentacion të rregullt, kanë ndjekur procedurat ashtu si duhej dhe tani thjesht po bëhet përllogaritja për masën që u takon për dëmshpërblim. Sipas Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist”, 28 prej këtyre kërkesave iu është kthyer përgjigje negative sepse kërkesat janë bërë nga persona që nuk u takon e drejta. Ndërkohë, u është kthyer përgjigje për plotësim dokumentesh 380 kërkesave, të cilat ishin me mangësi në dokumente dhe për këtë shkak u është kërkuar plotësim dokumentacioni, ndërsa pjesa tjetër po kalon në një proces verifikim paraprak brenda afatit 10-ditor të vendosur nga ligji. Ministria e Drejtësisë ka sqaruar për të gjithë të interesuarit se do të ndjekë me korrektësi të gjitha hallkat procedurale që ia kërkon Ligji "Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist" si i vetmi mjet për të garantuar një proces të drejtë, nga i cili do të përfitojnë vetëm ata persona dhe familjet e tyre që janë ish-të përndjekur politikë të regjimit komunist.

Verifikimi
Aktualisht po bëhet verifikimi i emrave nga organet e Drejtësisë, në bazë të të dhënave që disponon ky institucion në lidhje me personat që do të përfitojnë në sajë të statusit. Verifikimi i emrave pritet të përfundojë brenda një kohe të shkurtër, ku mendohet që pas muajit shkurt të nisë shpërndarja për kategoritë përfituese. Gjithashtu është deklaruar se dëmshpërblimi do të jetë në bazë të kritereve të përcaktuara në ligj për të gjitha kategoritë e shpallura si përfituese. Menjëherë sapo të mbyllet verifikimi i listave do të nisë shpërndarja konkrete e dëmshpërblimit sipas kategorive përfituese dhe listave që do të depozitohen nga organet e Drejtësisë. Gjithashtu, në projektligj është përcaktuar dhe shuma që do të përfitojë çdo i burgosur politik sipas kategorisë në të cilën bën pjesë. Në bazë të këtij kategorizimi do të zbatohet dhe shpërndarja e dëmshpërblimit.

Listat e përfituesve

Aktualisht, organet e Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme po merren me verifikimin e emrave që do të përfitojnë nga dëmshpërblimi, sipas ligjit të miratuar në Kuvend. Por, deri në një listë përfundimtare, emrat do të kalojnë në një sërë procedurash që do të shërbejnë për verifikimin e tyre. Familjarët duhet të depozitojnë brenda vitit 2008 kërkesën për përfitimin nga dëmshpërblimi. Sipas ligjit, paraqitja e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë kryhet brenda territorit të vendit, vetëm me anë të Postës Shqiptare, nëpërmjet dorëzimit nga kërkuesi të dokumentacionit dhe marrjes së lajmërimit nëpërmjet postës për lajmërim-marrjen nga Ministria. Çdo ish-i dënuar politik i regjimit komunist, familjar i viktimave të pushkatuara ose familjar brenda rrethit të caktuar në këtë ligj i të dënuarit politik, që jeton ose nuk jeton, dorëzon dokumentet në emër të të dënuarit politik, i deklaron punonjësit të Postës qëllimin e dërgesës dhe pajiset prej tij me formularin tip, që i bashkëlidhet këtij ligji, ku shënohen numri i dokumenteve të dorëzuara, data dhe ora e pranimit të kësaj dërgese dhe numri i regjistrimit të saj. Formulari nënshkruhet nga punonjësi i Postës dhe dërguesi në tri kopje, për dërguesin, për Postën dhe për Ministrinë e Drejtësisë. Posta Shqiptare regjistron çdo dërgesë të saj në regjistra të veçantë dhe i ruan ato sipas legjislacionit në fuqi. Dokumentacioni i dërguesit, së bashku me kopjen e formularit, për Ministrinë e Drejtësisë, i postohet kësaj të fundit. Një kopje e njoftimit të marrjes së dokumenteve i përcillet dërguesit.

Përmbajtja e kërkesës

Kërkesa për dëmshpërblim duhet të përmbajë:
a) të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të ish-të dënuarit politik, në kohën e dënimit dhe informacion aktual, sipas rastit, nëse janë ndryshuar emri, mbiemri, datëlindja, vendlindja, vendbanimi, seksi, raportet e atësisë e të mëmësisë për të dënuarit me vdekje, burgim, internim ose dëbim. Për të gjitha ndryshimet në përbërës, kërkesës duhet t’i bashkëlidhet edhe akti që i ka ndryshuar ato;
b) të dhëna për periudhën e ekzekutimit (ditën)/vuajtjen e dënimit/dënimeve, hyrje-daljet nga burgimi, izolimi, internimi apo dëbimi;
c) vendimin e gjykatës, të formës së prerë/aktin e internimit apo aktakuzën për izolim, nëse ka;
ç) dokumentacionin për gjendjen familjare aktuale të ish-të dënuarit politik;
d) çdo informacion që ka ai për gabime ortografike apo materiale të përbërësve të gjendjes civile të tij, në vendim apo aktakuzë, për identifikimin e saktë të tij;
dh) certifikatën e gjendjes civile, që provon të gjithë përbërësit e gjendjes civile dhe një adresë të saktë, të zgjedhur prej tij për komunikim.
Certifikata duhet të jetë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës.
Për ish-të dënuarit që nuk jetojnë, apo familjarët e viktimave, kërkesa paraqitet nga familjari, sipas rrethit të përcaktuar në këtë ligj.

936
është numri i kërkesave që është paraqitur deri tani për dëmshpërblim të ish-të përndjekurve politikë

11
kërkesa kanë gati relacionin përkatës, të cilat kanë kaluar për t’u përllogaritur për masën e dëmshpërblimit

28
prej këtyre kërkesave iu është kthyer përgjigje negative sepse kërkesat janë bërë nga persona që nuk u takon e drejta

380
iu është kthyer përgjigje për plotësim dokumentesh, të cilat kishin mangësi të konsiderueshme në dokumente

Afati

Posta Shqiptare dhe shërbimi konsullor, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 1-vjeçar, dorëzojnë në Këshillin e Ministrave të dhëna për numrin e dërgesave të kryera. Një kopje e këtij informacioni i përcillet edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kur pas plotësimit të afatit 1-vjeçar, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ka pretendime nga ish-të dënuar politikë, familjarë të viktimave të pushkatuara, se kanë dorëzuar dokumentet, por ato nuk gjenden, kanë humbur, kanë të meta të pjesshme etj., mjeti i vetëm provues, që shërben për pranimin e këtij pretendimi, është formulari i trefishtë i dorëzimit në postë apo në shërbimin konsullor. Ministri i Drejtësisë urdhëron ripranimin e dokumenteve, edhe pas plotësimit të afatit 1-vjeçar, sipas këtij ligji, vetëm kur kërkuesi provon se i ka dorëzuar ato në postë apo në shërbimin konsullor.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›