Rritet numri i viktimave të “firmës piramidale”, paraqiten 200 denoncime
KORÇË - Mbi 200 persona, sipërmarrës dhe figura të njohura, janë mashtruar nga dy pronarët e firmës piramidale fantazmë të zbuluar para pak ditësh në qytetin e Korçës. Kjo e dhënë ka dalë nga organet e prokurorisë së rrethit, ku nga hetimet e deritanishme numri i personave që kanë rënë viktimë nga pronarët e pretenduar të një firme konfeksionesh, Jani Kulla dhe Ilia Nikolla, është më i madh sesa 200 veta. Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë, pikërisht në momentin që është bërë publik lajmi i zhdukjes së dy biznesmenëve mashtrues, janë paraqitur me dhjetëra denoncime të tjera nga qytetarë, të cilët kanë dhënë para me përqindje të lartë te kjo firmë. Të gjithë të mashtruarit kanë bërë kallëzim ndaj Jani Kullës dhe Ilia Nikollës, ndërkohë që kanë nisur hetimet për gjetjen dhe vënien para drejtësisë të tyre. Ditën e hënë është bërë publik skandali, ku thuhet se pronarët e firmës “Inter Konfeksion Kompani” kanë marrë rreth 2 miliardë lekë me fajde te qytetarë të ndryshëm. Kur kanë parë se nuk po merrnin as paratë e tyre, shumë nga qytetarët kanë kërkuar ndihmën e prokurorisë. Por përgjigjja që kanë marrë është se çështja është civile dhe për pasojë nuk mund të hetohet nga ana e organit të akuzës. Rreth 20 kreditorë e kanë nisur procesin gjyqësor me dy pronarët e firmës së konfeksioneve, e cila ka mbyllur aktivitetin e saj që në shtator të vitit të kaluar. Ndërsa të tjerët pritet që të kryejnë procedurat për të bërë të njëjtën betejë, që të marrin paratë e tyre. Kjo ngjarje ka kthyer tensionet dhe frikën e viteve 1994-1997 në qytetin juglindor, ku me mijëra shqiptarë lanë mbi 1.2 miliardë dollarë në firmat piramidale.
28 Shkurt 2008