E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani kontrollon natën policët, del me duar të pastra

24/05/2009  Avokati i Popullit dështon në komisariatet e kryeqytetit, gjithçka ishte OK

TIRANË- Avokati i Popullit Ermir Dobjani ka dështuar këtë radhë me kontrollet e tij të ushtruara në ambientet e policisë duke mos gjetur gabime të rënda. Ashtu sikurse edhe kanë njoftuar inspektorët e Avokatit të Popullit duke përfituar nga ligji për këtë institucion kanë kryer një kontroll të befasishëm në të gjitha komisariatet e policisë së Tiranës. Por ndryshe nga herët e tjera kur kontrolli është ushtruar ditën, këtë radhë, Dobjani ka ushtruar kontroll në orët e natës. Kështu bëhet e ditur se inspektorët janë urdhëruar të futen në komisariatet e policisë në orën 10.30 deri në 11.00 të natës. Për të gjitha problemet dhe rregullsitë që kanë parë dhe prekur, Dobjani i ka shkruar, Ahmet Prençi, Drejtor i përgjithshëm i Policisë së shtetit, Tonin Vocaj, Drejtorit të Policisë së qarkut e Bujar Nishani, ministër i Brendshëm. Vetë Dobjani shkruan se ka gjetur të gjithë punonjësit e policisë në detyrë dhe të rregullt, ka gjetur pastërti dhe veçanërisht në komisariatin numër 5 për të cilin ai thotë se duhet të marrin shembull edhe komisariatet e tjera. Ndërkohë që më tej shprehet se në disa komisariate ka parregullsi, të cilat lidhen me mungesën e dhomave të sigurimit, të cilët të paktën duhet të jenë deri në tre dhe të ndara e me kushte bashkëkohore. Në gjashtë komisariate qëllimi i inspektimit ishte verifikimi i drejtpërdrejtë i standardeve të ambienteve të shoqërimit dhe atyre të sigurimit. Inspektimi është bërë në bazë të një plani të miratuar nga Ermir Dobjani dhe të ndarë në tre grupe pune duke përdorur orët e vona të natës. “Vlen për t’u theksuar se pothuajse në të gjitha organet e policisë u gjetën duke punuar drejtuesit e policisë. Edhe në ndonjë organ ku nuk u gjeten drejtuesit, ata pasi u informuan nga punonjësit e informacionit erdhën në organin e tyre”. Komisariati numër 5 kishte të ndara dhomat për gratë, të miturit dhe meshkujt. Edhe pastërtia ishte evidente. Problem është hasur në komisariatin 2, 4 dhe 6, ku, sipas Dobjanit, nuk ka tre dhoma shoqërimi dhe pastërtia mungon.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›