E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy kile tritol banesës së mësuesit

17/02/2005  Vdes Riza Aliaj. Akti terrorist trondit Bajram Currin

Eksplozivi u aktivizuar me një fitil të ndezur

Tritol në mesnatë banesës së mësuesit Riza Aliaj. Eksplozivi ka shpërthyer banesën, dera është përplasur me forcë mbi të zotin e shtëpisë, që në atë kohë po shkonte për në banjo. Burime zyrtare nga policia, pohojnë se nuk ka pasur të plagosur të tjerë në shtëpi. Tronditja dhe tmerri kanë qenë të papërshkruar. Dëmtimet kanë qenë të rënda për 54-vjeçarin, që një orë pas dërgimit në spital, ka ndërruar jetë. Pallati është ngritur në këmbë dhe ardhja e policisë ka qenë gjithsesi e shpejtë. Mund të klasifikohet si një akt terrorist, që ka pasur viktima.

Tritoli

Jo vetëm hetues, oficerë që merren me hetimin e ngjarjes, por dhe qytetarë të shumtë janë shtangur kur kanë mësuar se në banesën e mësuesit Aliaj është vënë eksploziv dhe për pasojë ai ka humbur jetën. Ekspertët pohojnë se kanë qenë afro 2 kile tritol të vendosur në derën e shtëpisë se mësuesit. Një fitil i ndezur me gjatësi të konsiderueshme, që t’u jepte kohë vrasësve të largoheshin, ka aktivizuar lëndën plasëse. Në vendngjarje janë marrë gjurmët dhe pjesë të mbetura, e janë dërguar menjëherë në laborator për të bërë ekspertizën.

Pistat

“Është shumë e vështirë të përcaktosh një pistë të saktë deri në stadin e tanishëm të hetimeve”, pohojnë për gazetën burime nga grupi hetimor i ngjarjes. Aliaj ishte një nga qytetarët që respektohej shumë në Tropojë. Ai nuk kishte as grindje, as konflikt, as hasmëri, as hakmarrje me ndonjë familje, që të shërbente si motiv për atentatin”. Specialistët e hetimit saktësojnë se pista janë disa, por ato do të seleksionohen me marrjen e të dhënave dhe dëshmive, duke shkuar drejt mbështetjes së tyre. Adresë e gabuar dhe shënjestër e rreme, është pista e parë dhe e vetme për momentin. Ekspertët thonë se po punojnë në bazën e të dhënave dhe dëshmive të njerëzve që e kanë njohur viktimën, dhe ato janë të shumta. Ndoshta në ditët e ardhshme do të jepet një version më i plotë, pasi hetimi është në kërkim të autorëve të ngjarjes së rëndë. Burime nga Ministria e Rendit, thonë se nuk mund të përcaktohet se sa është numri i atyre që kanë dorë në këtë ngjarje, ndonëse dyshimet flasin për të paktën dy persona.

Qindra qytetarë shkojnë për ngushëllim

Tragjedia më e fundit në Tropojë, ka shokuar qindra tropojanë. Të shumtë kanë qenë ata që kanë vajtur për të ngushëlluar mësuesin e vrarë. Kolegë të 54-vjeçarit kanë ardhur nga fshati Lludaj për t'i dhënë lamtumirën e fundit intelektualit të vrarë. Ngushëllime kanë bërë dhe qytetarë të Bajram Currit, të cilët shprehën keqardhjen për ngjarjen tragjike. Policia bën të ditur se gjendja e pjesëtarëve të tjerë të familjes, nuk është e rëndë. Thuhet se ata janë të shokuar dhe të tronditur rëndë nga humbja e Aliajt si dhe nga rreziku që kanë kaluar për jetën e tyre. Vera Aliaj, bashkëshortja, ka shpëtuar nga shpërthimi i rëndë në banesë. Dëmtime ka pasur dhe në pjesë të tjera të apartamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›