E Hënë, 2 Nëntor 2026

Unidimensionaliteti qytetar i shoqëris

17/02/2005  Megjithëse kanë kaluar 40 vjet, ende janë me rëndësi idetë filozofike të filozofit gjerman të shkollës së Frankfurtit, Herbert Markuze, i cili në veprën e tij “Njeriu i një përmase” në 1965, profetizoi se, modernizimi i shoqërisë, zhvillimi qytetar dhe humanizimi i kapitalizmit do të sjellë ndryshim radikal në stratifikimin social të shoqërisë.

Markuze, i anatemuar në vitet ’70, në Shqipëri si apologjet i “kapitalizmit” në përpjekjen e tij intelektuale, për të kapërcyer defektet doktrinariste, të njëanshme të filozofise se Hegelit, Marksit dhe Frojdit, I bindur për domosdoshmërinë e një të “majtë të re”, e cila në thelb të sintetizonte konceptin politiko-sociologjizant të Marksit, me thelbin biologjizant të Frojdit në krijimin e njeriut, me një dimension. Sipas tij, bota e re, e cila siç duket filloi me lëvizjen e majtë studentore dhe të punëtorëve ne Francë, në 1968, e mbylli perfundimisht epokën e vjetër dhe kapitullin klasik të saj, si botë bidimensionale e konceptuar në mënyrë klasike nga Marksi, e përbërë nga dy pole antagoniste, borgjeze dhe proletare, që luftojnë për vdekje me njëri-tjetrin.

Epoka e re, e qytetërimit modern, pa mohuar problemet dhe plagët e shumta sociale të saj, nuk është më ajo e kohës së vjetër e konfliktit klasor, bipolar. Vendin e shoqërisë së vjetër bidimensionale e ka zënë shoqëria unidimensionale dhe prezenca në shoqëri e njeriut joideologjik me përmasë njerëzore.

Në mënyrë figurative, në kohën tonë, vendin e konceptit të shoqërisë klasore bipolare dhe të luftës së papajtueshme midis tyre, e ka zënë shoqëria e re, shoqëritë civile, është ndryshe nga shoqëria e vjetër, e konceptuar dhe e përbërë nga njerëz me përkatësi klasore të kundërt, simbolikisht të veshur me jaka të bardha (borgjezia) dhe jaka blu (punëtorët). Shoqëria e re moderne, qytetare, civile, ka filluar të përbëhet nga jakat gri (njeriu i punës, i biznesit, intelektuali).

Dallimet klasore midis tyre kanë marrë fund. Njerëzit me përkatësi klasore të kundërt, shoqëria civile i unifikon në qytetarë, me të drejta politike të barabarta, me shanse jete të padiskriminuara.

Njeriu qytetar, me një dimension i shoqërisë nuk vuan më periodikisht nga asnjë dallim politik klasor, gjinor, racor, të origjinës apo pozicionit gjeografik në të cilin jeton.

Shoqëria civile, si produkt të parë të saj, ka eliminimin e konceptit të shoqërisë si turmë e njerëzve anonimë, të përbërë nga grupe të mëdha shoqërore e klasore dhe, krijimin e qytetarit si individ, si botë unike me ndjesi politike, me përkatësi sociale dhe staturë ekonomike të veçantë, të pangjashme me të tjerët. Qytetari i shoqërisë moderne, njeriu më një dimension i shoqërisë civile, është njeriu i lirë, që gëzon liri dhe të drejta universale që nuk ka frikë nga politika, që është i lirë të punojë e të jetojë ku të dojë dhe si të dojë, që nuk është i skllavëruar nga marrëdhëniet e vjetra të prodhimit të detyruar, që ka të drejtë integrale, të shfaq shijet e veta të jetës personale, të orientimit seksual, madje duke patur të drejtë të bëjë çfarë të dojë me trupin e vet, pa cënuar lirinë dhe të drejtat e askujt. Ky është koncepti i njeriut më një dimension, që profetizon Markuze, ky ëndërrues i së Majtës së re Globale, ky inspirator i lëvizjes studentore, prekursor i shoqërisë së re moderne.

Epoka e re, e shoqërisë demokratike në kuptimin më modern të saj, si mbyllje e një faze që filloi pas Luftës së Dytë Botërore dhe që përfundoi me lëvizjen e madhe studentore të majtë franceze, është pjesa moderne e shoqërisë së konsoliduar civile. Padyshim kjo nuk do të thotë se njeriu me një dimension i shoqërisë së re, është njeriu i lumtur. Koncepti egalitarist, barazitar, mikroborgjez e komunist, nga pikëpamja ekonomike u vërtetua se ishte dhe vazhdon të jetë një utopi e parealizueshme.

Shoqëria e sotme civile, ka meritën e madhe historike që po e shijojmë dhe ne shqiptarët, që i dha fund shoqërisë me përmasa ideologjike, përmasave klasike të frikshme të ndarjes politike e klasore e të luftës midis klasave, shoqëria civile i dha fund me modernitetin e vet dhe mundësinë e mekanizmave të zbutjes së konflikteve sociale, revolucioneve, të cilat dolën nga historia si lokomotiva të ndryshkura të saj, si katastrofa të zymta dhe etapa të palumtura dhe të përgjakshme të historisë. Shoqëria moderne ka krijuar një botë të re relacionesh, të njeriut me familjen, shoqërinë, komunitetin, politikën dhe botën e punës. Në të gjitha këto relacione, njeriu ka fituar lirinë, është çliruar nga prangat detyruese, skllavëruese të politikës si sundim, të shtetit si xhelat dhe të moralit të vjetër, si tabu të pathyeshme.

Njeriu i shoqërisë së sotme, në liri, ka fituar të drejtat integralisht humane, që të jetë një identitet më vete dhe të mos jetë turmë, të jetojë si personalitet dhe jo si një atom i vogël social, të ketë emrin e tij personal e social dhe të mos jetë anonim, të ketë të frikë vetëm nga frika dhe gjithnjë e më pak nga të tjerët, jashtë tij. Megjithë defektet që ka shoqëria civile, ajo është modeli më i mirë i realizuar ndonjëherë. Në këtë shoqëri, e cila në vendin tonë është ende latante, vërtet ekzistojnë dallime, madje shproporcionale pasurore, dhe polarizime të karakterit politik. Në Shqipëri, ndoshta më shumë sesa në vende të tjera, është në përmasa kritike ky fenomen, i cili po krijon problemin e madh social të margjinalizimit të shoqërisë, nga lart (po shkëputen jashtëzakonisht shpejt dhe me përmasa të frikshme njerëzit që po krijojnë pasuri marramendëse) dhe nga poshtë (thellimi i treguesve të varfërisë, sidomos për shkak të papunësisë dhe veçanërisht në zonat rurale). Padyshim njeriut shqiptar nuk i mjafton unidimensionaliteti politik i shoqërisë civile, të drejtat e barabarta politike e elektorale që ai realisht ai i gëzon. Nuk është shoqëria civile njëdimensionale, humane dhe e drejtë kur mungon ende një minimum kombëtar jetese i çdo familjeje dhe çdo qytetari. Kufiri kritik i mirëqenies sociale duhet të jetë vija e kuqe e nivelit bazal, të mirëqenies minimale, jetësore, kusht për të patur një shtresë të gjerë qytetare konstante të konsoliduar, aktive dhe kontributive. Shoqëria civile shqiptare, është unidimensionale politikisht, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë, për çdo njeri, për të gjithë dhe për çdo minorancë, dhe ky është një standard kryesor i shoqërisë civile, e cila megjithë ndonjë defekt është parimisht e realizuar. Por, ndërkaq, nuk është normale që nga pikëpamja ekonomike, marrëdhëniet humane po cënohen, dhe shtresa e mesme qytetare me garanci civile dhe ekonomike po bëhet gjithnjë e më e hollë, duke u larguar, jo vullnetarisht, drejt poleve ekonomike ekstreme. Shumë pak njerez ngjiten në polin e pasurisë (është meritë e tyre në garën për sukses vetjak dhe bravo u qoftë!), dhe pjesa tjetër, më të shumtët zbresin nga niveli shoqërisht i pranuar në polin tjetër të varfërisë (sigurisht edhe për mungesë aftësie për t’u orientuar në tregun e punës, por edhe të shtetit si supervizor makroekonomik dhe rregullator i madh social), të cilët janë shqetësim i vërtetë social për vendin tonë.

Koncepti i shoqërisë me një dimension (përmasa qytetare) nuk cënon aspak lirinë e diferencimit pasuror, sepse nuk ka shoqëri moderne që të funksionojë pa kapital disponibël për investim dhe njerëz të gatshëm për të punuar. Këto relacione të punës me kapitalin janë të vjetra, historike, të cilat në kohët e sotme moderne janë zbutur dhe humanizuar. Shoqëria që ëndërron barazi të plotë është shoqëria që vdes. Teorikisht ishte utopi që dëmton energjitë, fuqitë, kreativitetin, ambicien, kompeticionin, dëshirën për sukses që është në natyrën, në thelbin e njeriut. Natyrisht, një distancë më njerëzore, midis poleve të pasurisë dhe varfërisë, një humanizëm i marrëdhënieve të kapitalit, me punën, një dorë ca më e dukshme e shtetit për të mbështetur të varfërin, që bashkë me përpjekjet e tij të dalë nga gropa e zezë e varfërisë, krijimi i kushteve për të patur jo skllav që punon tërë ditën për mbijetësë, por që të ketë dhe një minimum kohe të lirë (nuk ka shoqëri qytetare, kur njeriu është tërësisht i skllavëruar nga bota e punës). Shoqëria shqiptare do të bëhet civile, jo vetëm kur politika mendon dhe kultivon vetëm elita kulturore dhe ekonomike.

Padyshim, shoqëria civile ka nevojë për liderët e saj ekonomikë, kulturorë, shoqërorë, liderët shpirtërorë dhe të opinionit, të cilët i shërbejnë orientimit, ndërtimit dhe udhëheqjes së drejtë të saj. Por nuk funksionon dhe nuk jep impakt, puna e lidershipit kombëtar në një shoqëri që ka distancë anormale midis poleve të saj, për shkaqe ekonomike (varfëri), të mungesës së formimit dhe përmasës qytetare, të prapambytjes kulturore dhe niveltit të ulët arsimor. Vakuumi po krijohet midis këtyre poleve, është real, shqetësues dhe që duhet të vërë në mendim, seriozisht politikën, elitën kulturore, sociale e akademike, shtetin dhe shoqërinë civile, për të menduar dhe propozuar zgjidhjen.

Shoqëria e vërtetë, shumica absolute e saj, ka nevojë të ketë jo shumicën në pole (të varfër dhe të pasur, të ditur dhe injorantë), por shumicën në qendër të saj, si qytetarë që kanë koshiencë dhe sensibilitet social, që jetojnë dhe jo të vegjetojnë, që punojnë dhe jo që strapacohen për mbijetesë.

Dikush do të thotë, se kudo në botë, ka dallime të tilla. Padyshim, është e vërtetë! Por ka ndryshim midis situatës sonë dhe asaj të vendeve të tjera evropiane (besoj që nuk është mirë të krahasohemi me ndonjë kontinent tjetër, në të cilin fati nuk na shpënë për të jetuar) si në nivelet e varfërisë, të anafalbetizmit, të margjinalizmit social, në të cilat koncepti qytetar është më dominant dhe më neutral në raport me polet e ekonomisë dhe politikës. Shoqëria civile është aktive, integruese, humane dhe sensibile. E megjithatë, sociologët e sotëm, në vazhdim të të bindjes së tyre të palëkundur për integrimin kontinental të shoqërisë evropiane, kanë hedhur idenë e shoqërisë civile, universale. Statusi i qytetarit ka filluar shfaqet si përmasë universale, pavarësisht veçorive kombëtare, gjuhës, traditave, zakoneve, të cilat, në kohën tonë për shkak të procesit të papërmbajtur të integrimit, po zbehet karakteri i tij kombëtar, duke i lënë hapësirë dimensionit të njeriut si qytetar me vlerë universale. Mjafton të kujtojmë gjeografinë kozmopolite të punësimit të shqiptarëve sot kudo në botë, për të kuptuar se ku po shkojmë. Sjellja, qëndrimi, angazhimi qytetar, roli i individit në shoqërinë demokratike po bëhet jashtëkombëtar. Njeriu me një dimension, me një përmasë, qytetari si pjesë e shoqërise civile, është tashmë, vlerë universale. E kundërta është mjet izolimi dhe vetëpërjashtimi nga modeli i zhvillimit bashkëkohor.

Shoqëria civile botërore, po bëhet ideali i madh i politikanëve, sociologëve dhe perspektivave historike e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Ata thonë se kjo gjë është e mundur, përderisa të gjithë si qytetarë, “hanë nga thesi i këtij planeti”. Modeli i Evropës së bashkuar është modeli i parë politik dhe intelektual, realitet, por edhe nje projekt i realizuar i shoqërisë civile me përmasa ekstranacionale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›