E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ideatori i tunelit të arratisjes në përgjim: Jam...

18/02/2005  Zbulohet vendqëndrimi i qiraxhiut të dyqanit të luleve, nga i cili u hap kanali për në burg

TIRANË –I dyshuari si ideator i tunelit të arratisë nga burgu 302 në Tiranë, deri dy ditë më parë ka qenë i përsosur në veprimet e tij. Ka arritur të mbyllë dyqanin e të largohet më 4 shkurt, ditën kur i zbulua tentativa e arratisjes e cila fillonte në ambientin e marrë me qera prej tij. Kishte plotësuar dokumentacionin e qiramarrjes me identitet fals dhe prej një jave kishte arritur të mos i linte policisë asnjë gjurmë për vendndodhjen e tij. Gabimi ka ndodhur dy ditë më parë, kur gjatë një bisede telefonike, ai ka përmenduar emrin e vendit ku ishte fshehur me qëllim arratisjen e dytë, ”lamtumirë pranga”.

Personazhi

Në ditët që pasuan zbulimin e tunelit të nëndheshëm i cili shkonte brenda burgut të sigurisë së lartë 302 në Tiranë, personazhi mbetej misterioz. Tre gjurmë gishtash që i përkisnin u dërguan për ekspërtizë. Në dosje kishte një përshkrim të tij nga dëshmitarët e rastit dhe asnjë emër apo identitet. Policia po kërkonte nisur nga provat e vendit të ngjarjes apo deklarimet e para të dëshmitarëve, por kontrollet nuk kishin një busull të saktë që do ti çonte drejt të kërkuarit. Agjentët e policisë tregoheshin të vëmendshëm ndaj çdo kontakti nga i cili mësonin se i kërkuari ishte parë diku. Hetuesit e Prokurorisë u kujtuan për kontratën e qerasë. Një dokument i nënshkruar pesë muaj më parë në fund të të cilit ndodhej një firmë gruaje dhe emri i falsifikuar i qiramarrësit. Burimet e hetimit deklaruan emrin Agim Leka, por si ai emër ishin të paktën shtatë të tjerë në Tiranë duke përfshirë këtu edhe një efektiv të policisë në një qytet jugor.

Identifikimi

Ekspertiza e gjurmëve të gishtave, e cila u krye në aparaturën kompiuterike të policisë, gjeti shenjat e ngjashme me ato që kishin mbetur në dyqanin nga i cili u hap tunelit. Ato gjurmë, i përkisnin një peroni të cilit i ishin marrë gjurmët vite më parë nga policia, për një vepër penale të kryer jashtë Tiranës. Në atë kohë, gjurmët e gishtave të personit ishin shënuar bashkë me emrin e vërtetë të tij. Në këtë mënyrë, hetuesit zbuluan ideatorin e njërës prej tentativave spektakolare të arratisjes nga burgjet shqiptare. Ky person, e kishte marrë me qera dyqanin pesë muaj më parë. Kishte filluar punë duke e kthyer atë nga pikë shumice në një dyqan lulesh nga i cili banorët e afërt shihnin çdo ditë të dilte sasi jo e vogël dheu. Gjithçka ishte e justifikuar, aty kishte një dyqan lulesh, nën të cilin kishte filluar gërimi i një kanali që shkoi 26 metra i gjatë dhe 1.5 i gjerë. Ky ishte personi emri i të cilit shkoi në dosjen “Tuneli”. U identifikuan disa nga të afërmit e tij dhe u hodhën pikat e dyshimit për vendndodhjen e tij. Hetuesit gjetën të dhëna të mjaftueshme për të filluar punën operative me anë të survejimeve dhe përgjimit me qëllim për të mbërritur tek i kërkuari.

Zhdukja

Pikërisht në kohën kur policia ndodhej pranë aksionit të arrestimit, identiteti i të kërkuarit u publikua. Prej asaj dite për një javë me rradhë, policia dhe Prokuroria thanë se kishin humbur çdo kontakt me gjurmët e personit të kërkuar. Në fund të kësaj jave kur dekonspirimi i aksionit para nisjes së tij, filloi të analizohej, në një dialog dëgjohet emri i vendit ku fshihej i kërkuari. Biseda ishte regjistruar gjatë përgjimeve të personave të cilët cilësoheshin nga hetuesit si persona që mund të kishin kontakte me të dyshuarin. Policia dhe Prokuroria në mënyrë të shpejtë dhe në konspiracion filluan përgatitjen e aksionit dhe sigurimin e vendit ku ndodhej personi i dyshuar. Dje Prokuroria e Tiranës, tha se prangoja e personit të kërkuar, si ideator i tunelit spektakolar të arratisë është çështje orësh. Prokuroria tha se e ka siguruar tashmë vendin ku ndodhet i kërkuari dhe se nuk mund të ketë më, dekonspirim.

Tuneli, një vepër e mirëorganizuar

Hetuesit dhe efektivat e policisë së komisariatit 3 në Tiranë, të cilët hynë në tunelin e arratisë, kanë vënë re një vepër disamujore të mirëorganizuar. Pajisje të kohës së fundit për gërmime, lëngje frutash, thasë të tërë të mbushur me dhe dhe një stetoskop që përdoret për vizitat mjekësore. Gjithçka u ngjante sekuencave të një filmi “action”. Më shumë se tre persona kishin kryer gërmimet për disa muaj. Tuneli përbëhej nga tre kthesa dhe synonte të mbërrinte tek dhoma e takimeve speciale dhe tek një dhomë tjetër në të cilën qëndron personeli i pa armatosur i burgut 302. Thellësia e rrugës nëntokësore nga sipërfaqja mesatarisht ishte tre metra, ndërsa ishe matur me stetoskopin që mbështetej vazhdimisht në sipërfaqen e sipërme të kanalit për të dëgjuar intensitetin e zhurmës që vinte nga sipërfaqja e tokës.

Zbulimi i tunelit,i rastësishëm

Njëri prej efektivave të policisë që kryente rojë pranë burgut në datën 4 shkurt të këtij viti, ka par ti shembet një sipërfaqe e korës së tokës prej gati gjysëm metri. Shembja ndodhi në afërsi të vendit ku qëndronte polici dhe ai pati mundësinë të vinte re diçka që linte për të dyshuar. Efektiva të tjerë të policisë, shkuan në zonën ku ishte shembur korja e tokës dhe vunë re një kanal nëntokësor. Ndërsa rrethohej zona dhe merreshin masat e duhura, agjentët vunë re mbylljen e çuditshme të dyqanit të luleve pranë burgut, vetëm një orë pasi ishte hapur. 09.15 shënonte ora e mëngjesit, kur hetuesit hynë në dyqan duke shqyer dyert e tij. Në aneksin e vendit ku shiteshin lulet, 70 centimetër katror dyshemeve ishin çarë. Një dërrasë në formë shkallësh zbriste thuajse tre metra nën tokë derisa tabani i tunelit kthehej horizontalisht në drejtim të oborrit të burgut. Drejtuesit e administratës së burgjeve, deklaruan se kishin patur informacion për tentativën, ndërsa Prokuroria e Tiranës e mohoi këtë fakt.

Rastësia Gaxhai

Ende pa u mësuar mirë vendi ku e kishte daljen tuneli, burgjet publikuan emrin e të burgosurit që kishte tentuar lirinë. Gazmend Braka i njohur me nofkën “Gaxhai” u vu në qendër të dyshimeve, më shumë për shkak të rastësisë sesa për shkak të provave që tregonin emrin e tij. Atë ditë kur u zbulua tunelit, Gazmend brraka ndodhej në dhomën e takimeve speciale të burgut, ishte i dënuar përjetë dhe vetëm pak kohë më parë, kishte deklaruar në sallën e gjyqit se detyra e tij ishte të arratisej dhe ajo e policëve ta ruanin. Asgjë më tepër nuk nevojitej për ta lënë “Gaxhain” në krye të listës së të dënuarve VIP, që mund të arratiseshin nga burgu i sigurisë së lartë 302. Por gjtë hetimit, pasi u identifikua qiramarrësi i dyqanit dhe dy prej gërmuesve të tunelit, dyshimet u larguan nga Gazmend Brraka dhe hetuesit filluan të verifikojnë një emër tjetër ende të padeklaruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›