E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn: Zgjedhjet e 2009, sfidë kyçe për Shqipërinë

 

Zgjedhjet e vitit 2009 janë një nga sfidat kyçe të Shqipërisë. Kështu deklaroi dje Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oli Rehn teksa prezantonte progres raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke folur para mediave, Rehn tha se "Shqipëria ka firmosur MSA-në në vitin 2006. Procesi i ratifikimit po shkon drejt përfundimit dhe zbatimi i saj po avancon gradualisht në të gjithë sektorët. Bazuar në konsensusin ndërpartiak për çështjet e integrimit në BE, reformat politike kyçe po avancojnë, duke përfshirë këtu edhe reformën zgjedhore. Një nga sfidat kyçe që Shqipëria ka përpara janë zgjedhjet e vitit 2009. Gjithashtu ajo duhet të forcojë më tej shtetin ligjor dhe kapacitetin administrativ". I pyetur se si e gjykon progres raportin e Shqipërisë me atë të një viti më parë, Rehn theksoi se vendi ynë ka bërë progres në disa fusha siç janë ato të reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore, teksa vlerësohet edhe konsensusi mes forcave politike. "Shqipëria ka bërë progres në sektorët kyçë, siç është reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore ndërsa përpjekjet për konsolidimin e shtetit ligjor janë intensifikuar. Këto janë bazuar në konsensusin politik mes partive, i cili e ka lehtësuar shumë progresin në këtë fushë. Për më tepër Shqipëria ka vijuar të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Ndërmjetme", u shpreh Rehn. Sipas tij "Shqipëria ka vazhduar të luajë rol konstruktiv në stabilitetin e rajonit dhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve fqinje në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu ekonomia shqiptare vazhdoi të rritej relativisht në mënyrë të shpejtë. Gjithashtu ka edhe pika të dobëta, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë probleme serioze, pavarësisht përmirësimit të perceptimit publik, të cilit i referohet raporti".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›