E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT miraton 44 leje ndërtimi në kryeqytet

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ka marrë dje një sërë vendimesh për ndërtim pallatesh, rrugësh dhe shkollash në kryeqytet. KRRT-ja është treguar "bujare" me firmat e ndërtimit të cilave iu ka miratuar 44 objekte dhe sheshe. "Në mbledhjen e djeshme të KRRT-së janë miratuar 31 leje ndërtimi dhe 13 leje shesh ndërtimi dhe disa legalizime", bën të ditur zyra e shtypit pranë Bashkisë së Tiranës.

Moria e lejeve të dhëna shënon një hop të ri në ndërtimin e pallateve të reja në kryeqytet. Ndërtuesit janë ankuar shpeshherë për bllokim të punës së tyre nga Këshilli i Rregullimit. Kjo është hera e dytë që ky këshill me shumicë votash jep një numër të madh lejesh për ndërtim. Edhe 34 leje të tjera ndërtimi janë dhënë 6 muaj më parë nga KRRT-ja e Tiranës. Pritet që të riaktivizohet sërish biznesi i ndërtimit, çka do të thotë se pritet të ketë ndryshime edhe në çmimin e apartamenteve në kryeqytet. Duket se bllokimi për një kohë të gjatë i lejeve të ndërtimit ka bërë që dje të miratohen të gjitha lejet e diskutuara, duke mos kthyer asnjë për rishqyrtimin në komisionin teknik.

Anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit bënë të ditur se pjesa kryesore e mbledhjes që zgjati për tre-katër orë ishte pikërisht çështja e miratimit të lejeve të ndërtimit, si dhe e shesheve të ndërtimit ajo që ka marrë më shumë diskutime. Kështu, anëtarët e KRRT-së kanë marrë në shqyrtim dhe më pas miratuar 31 leje ndërtimi, si dhe 13 leje për shesh ndërtimi. Pjesa më e madhe e objekteve të përfshira në këtë proces kanë qenë ato jashtë zonës së planit francez, që përfshin kryeqytetin me përjashtim të dy prej tyre. Sipas specialistëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit, pjesa më e madhe e këtyre banesave dhe pallateve të ndërtimit që janë miratuar shtriheshin në zonën gjysmë-periferike të kryeqytetit me godina 6-8 katëshe dhe shumë pak do të jenë godina me 9 kate.

Po kështu gjatë kësaj mbledhjeje janë miratuar edhe disa projekte të propozuara nga Bashkia e Tiranës. Këtu përmendim leje për ndërhyrje rikonstruktuese nëpër blloqet e banimit, si dhe miratim të projekteve të mëdha siç është projekt-ideja për bllokun e banimit Shallvare. Sipas zyrës së shtypit, dje anëtarët e KRRT-së, me shumicë votash, kanë miratuar projektin për rikualifikimin urban të bllokut të Shallvareve, kufizuar nga rrugët "Dëshmorët e 4 Shkurtit", bulevardi "Zhan D‘ark", rruga "Sami Frashëri" dhe rruga "Myslym Shyri". Po kështu një projekt tjetër i rëndësishëm që kaloi për diskutim e më pas u miratua ishte ai i platformës së konkursit ndërkombëtar për projektin e rigjallërimit të sheshit "Nënë Tereza" dhe sheshit "Italia".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›