“Doda”, familja e Shkrepit:Djali i pafajshëm
ELBASAN - Familjarët e Shkëlzen Shkrepit, i arrestuar me akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e ish–agjentit të antidrogës, Roland Rexhepi, reagojnë ashpër duke mohuar çdo implikim të tij në këtë ngjarje. Sipas tyre, familja Shkrepi dhe ajo e viktimës kishin njohje të vjetra. Edhe vetë i akuzuari kishte qenë mik me Rexhepin, ndaj ata këmbëngulin se kurrsesi djali i tyre nuk mund të kryente një veprim të tillë. Sipas burimeve, i vetmi dyshim që mban në burg Shkrepin është një fije floku, e cila është gjetur në njërën nga maskat e hedhura. Gjersa të vijë përgjigja e ADN-së nga laboratorët përkatëse në Tiranë, Shkrepi do të vijojë të qëndrojë në burg. Burime nga prokuroria bënë të ditur se mbi bazën e deklarimeve të marra nga të shoqëruarit pas vrasjes, Shkëlzen Shkrepi ka qenë në banesën e tij në momentin e ngjarjes. Tashmë pritet përgjigja e ADN-së, e cila mund të vonojë rreth një muaj e gjysmë. Për këtë ngjarje janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, por i dyshuari kryesor si autor i saj është Armand Llakaj. a.k